Shenjat e dashurisë për hir të Allahut

Dashuria e me të cilën njeriu pretendon se e do Allahun, kërkon medoemos që të dojë atë që do Allahu dhe të urrejë atë që urren Ai. Andaj, kush do një gjë të cilën Allahu nuk e do, apo urren një gjë të cilën Allahu e do, i tilli nuk e ka plotësuar ende teuhidin (njëshmërinë e Allahut) dhe nuk është i sinqertë në fjalën La ilahe il-lAllah, të cilën e thotë shumë herë gjatë ditës. Ibën Rexhebi, për të tillin ka thënë: “Ky person ka shirk të fshehtë në zemrën e tij. Shirku i tij është varësisht se sa e urren atë që do Allahu, apo e do atë që urren Ai.” Dhe ibën Kajimi ka thënë: “Ai që do një gjë apo dikë tjetër përveç Allahut dhe kjo dashuri nuk është për hir të Tij, as nuk është për shkak se kjo gjë e ndihmon në shtimin e adhurimeve, atëherë ai do të ndëshkohet në jetën e kësaj bote, për shkak të kësaj dashurie, para se të takojë Allahun (në botën tjetër).”

Shoqërimi me shokë të përzgjedhur

Besimtari nuk duhet të shoqërohet me çdokënd. Dijetari Alkame (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shoqërohu me atë i cili, kur ke nevojë të ndihmon, nëse thua diçka (gabim) të përmirëson, nëse sheh tek ti një vepër apo veprim të mirë e përhap tek të tjerët, nëse sheh tek ti një mëkat ta mbulon e të këshillon, nëse kërkon diçka prej tij ta jep atë dhe nëse të ndodhë një fatkeqësi të ngushëllon dhe të ndihmon ta tejkalosh atë. Andaj, personi me nivel më të ulët (sesa këto që u përmendën) me të cilin bën që të shoqërohesh, është ai prej të cilit nuk të vjen asnjë e keqe. Mjafton si ligj në përzgjedhjen e shokut, hadithi në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj secili le të shikojë se kë e merr për shok!”

Ezaiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shoku për shokun është si arni për rrobën (të cilën e arnon). Nëse arni, nuk i përshtatet rrobës, do ta shëmtojë atë. Për këtë, disa dijetarë kanë thënë: “Do të shoqërohesh vetëm me njërin nga këta dy persona: Me atë nga i cili mëson një gjë për fe apo me atë i cili mëson një gjë prej teje. Nga i treti (jashtë këtyre), ik.”

Dijetarët kur kanë përmendur cilësitë e atyre të cilëve duhet t’iu japësh përparësi dhe t’i përzgjedhësh që të jenë vëllezërit e tu të cilët i do për hir të Allahut, kanë thënë se të tillët duhet të posedojnë këto pesë cilësi:

  1. Të jenë të mençur – që kuptojnë gjërat realisht ashtu siç janë.
  2. Të kenë moral dhe sjellje të mira.
  3. Të mos jenë mëkatarë – kurrë nuk duhet të ndihesh i sigurt nga kurthet dhe tradhtia e atij që nuk e ka frikë Allahun.
  4. Të mos jenë pasues të rrugës së bidatit – sepse është rrezik që bidati të depërtojë në zemrën tënde.
  5. Të mos jenë lakmitarë në jetën e kësaj bote – sepse shoqërimi me të kundërtit është helm që vret (duke qëndruar me ta do të fillosh t’i imitosh).

Shenjat e dashurisë për hir të Allahut

Shenjat që tregojnë se dy persona duhen për hir të Allahut, janë:

◊ Nuk shtohet me bamirësi dhe nuk pakësohet me mosdhënie. Dijetari Jahja iben Muadh er Razi kur është pyetur për shenjat e një dashurie të tillë ka thënë: “Realiteti i saj është se ajo nuk shtohet me bamirësi dhe nuk pakësohet me mosdhënie.” Pra, nëse njëri i dhuron tjetrit, atëherë kjo nuk ia shton dashurinë, ngase ai në origjinë nuk e ka dashur për këto qëllime (përfitimi, bamirësia), por e ka dashur për hir të Allahut. Gjithashtu nëse nuk i jep, atëherë kjo nuk ia pakëson dashurinë për hir të Allahut, sepse një dashuri e tillë nuk kushtëzohet e nuk ndërlidhet me interesat e kësaj bote. Ndërsa, dashuritë që janë për interesa të kësaj bote, ndërpriten ose kur arrihen qëllimet, ose kur nuk realizohen qëllimet.

◊ Pajtueshmëria – ujdia ndërmjet njëri-tjetrit. Kur njëri thotë “po”, thotë edhe tjetri, kur njëri thotë “jo” thotë edhe tjetri (nuk kundërshtohen).

◊ Nuk ka zili ndërmjet. Kjo as për çështjet e kësaj bote e as për çështjet e fesë me të cilat dallohet njëri. Allahu kur përshkruan ata që duhen për hir të Tij, thotë: “…në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.” Hashr 9.

◊ Dashamirësia. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: Askush nga ju nuk ka besuar derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten e tij.”

◊ Shtohet kur sheh se tjetri shton adhurimin ndaj Allahut dhe bëhet besimtar më i mirë e më i devotshëm.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit