Si të arrij ta zbus temperamentin e të jem i butë?

Si të arrij ta zbusë temperamentin e të jem i butë?

Së pari, duhet ta lusësh Allahun që të ta përmirësojë sjelljen, moralin, raportet me të tjerët etj. Besimtari për çdo gjë që dëshiron ta përmirësojë në veten e tij duhet ta lusë Allahun ngase suksesi është në Dorën e Tij, Allahu është Ai i Cili i jep sukses atij, e udhëzon, e përmirëson. Këtë përmirësim duhet ta kërkojë sinqerisht prej tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “O Allah, ashtu siç e ke bërë të bukur pamjen time, ashtu bëje dhe moralin tim!” Dhe lutje të tjera të ardhura në hadithe.

Gjithashtu është mirë të lexohen ajetet kuranore dhe hadithet profetike të cilat tregojnë për vlerën e moralit të mirë. Kurani është shërim për çdo sëmundje me të cilën goditet njeriu, njashtu dhe me të tilla probleme. Kur i lexon ato (të cilat tregojnë për moralin e mirë dhe shpërblimin në këtë), kjo e nxitë që të bëhet prej tyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka diçka që peshon më së rëndi në Peshore në Ditën e Gjykimit sesa devotshmëria dhe morali i mirë.” Dhe: “Njeriu me moralin e mirë arrin shpërblim tek Allahu sikur ata që agjërojnë dhe falen (natën).”

Pastaj mbetet përpjekja në edukimin e vetes. Së pari, kur zemërohet, të thotë: “Euudhubilahi mineshejtani rraxhim- Kërkoj mbrojtje dhe strehë tek Allahu nga shejtani i mallkuar!”, ngase zemërimi vjen prej shejtanit. Andaj, kur sheh se po zemërohesh mos lejo që gjendja të të dalë prej kontrollit, por drejtoju Allahut me këtë lutje sinqerisht. Ai që është temperament, këtë gjë duhet ta rregullojë gradualisht.

Për fjalën që ka ardhur në hadith: “Mos u zemëro!”, dijetarët kanë dhënë dy komentime: 1. Të jetë i sjellshëm gjatë tërë jetës, me çehre të mirë, i buzëqeshur. Kur është i tillë pastaj në momentet e zemërimit do të arrijë ta përmbajë veten ngase gjithmonë është mësuar të jetë i mirë e i sjellshëm. 2. Mos të veprojë me zemërim: mos të shajë, mos të godasë etj.

Ka ardhur në hadith: “Kur dikush zemërohet le të heshtë“- d.m.th. mos të veprojë me zemërim; apo “Kur dikush zemërohet dhe është në këmbë le të ulet“, ai që është ulur nuk mund të veprojë njëjtë sikur të ishte në këmbë, “e nëse nuk i kalon atëherë le të shtrihet“, e në një hadith (edhe pse i dobët mund të veprojmë me të) ka ardhur që të merret abdes.

Njeriu nuk mund të thotë se i tillë jam, i tillë kam lindur, nuk mund të jem ndryshe, nuk mund të jem i durueshëm. Kjo nuk është e saktë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Durimi arrihet duke e ushtruar veten të jesh i durueshëm.” Çdo ditë nga pak dhe dikur durimi bëhet pjesë e natyrës tënde, pjesë e karakterit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit