Tri aspekte përfituese të përmirësimit nga Ramazani

Agjërimi ia mundëson njeriut të arrijë tri çështje të cilat janë përmendur në këtë hadith:

Ki frikë Allahun kudo që të jesh, veprën e keqën pasoje me vepër të mirë ngase ajo e shlyen atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.” Tirmidhiu.

-Devotshmëria, pasja frikë Allahun. Kjo ka të bëjë me raportin me Allahun. Agjërimi është bërë obligim për një urtësi madhore, për një synim të lartë, që është arritja e takwallakut. Agjërimi është një lidhje e fortë përmes së cilës njeriu arrin të realizojë frikën ndaj Allahut, në fshehtësi apo në publik; ai në mënyrën më të mirë arrin të dijë se është nën mbikëqyrjen e Allahut. Me agjërim ai arrin të thyejë nefsin e tij, ta ulë atë, të luftojë epshin e tij, dëshirat e tij, të pastrojë zemrën e të dëlirë nefsin, arrin të realizojë durimin, përuljen ndaj Allahut dhe ndjesinë se është nën mbikëqyrjen e Tij gjatë të gjitha veprave që kryen. Po cili është ai agjërim përmes të cilit realizohet devotshmëria? A është çdo agjërim? Përgjigje: Janë dy gjëra shumë madhore (për ta arritur atë): 1. Agjëruesi duhet të mundohet të realizojë agjërimin e tij, ta kryejë në formën më të mirë, ta përkryejë atë, duke e bërë sinqerisht për Allahun (pa syefaqësi), me besim se është obligim prej Tij dhe me shpresë në shpërblimin e Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi. Këtu kemi kushtëzim, pra duhet të kryhet në këtë mënyrë. 2. Agjëruesi duhet ta ruajë agjërimin nga gjëra të shumta që e njollosin atë, që e mangësojnë dhe ia pakësojnë shpërblimin (ndalesat, mëkatet e gjymtyrëve, fjalët e këqija, fyerjet, punët e këqija, lëndimi ndaj njerëzve, përgojimi, gënjeshtra etj.), ose që e zhvlerësojnë. Hisja e devotshmërisë që e arrin përmes agjërimit, është aq sa arrin të ruajë agjërimin e tij.

-Pasimi i veprës së keqe me vepër të mirë. Kjo ka të bëjë me raportin me vetveten. Nefsi anon shumë kah gabimet, mëkatet, është shumë i prirë për të bërë të këqija e mëkate. Ai është një sprovë. Në hadith ka nxitje që sa më shumë të shtojmë veprat e mira ngase ato i shlyejnë veprat e këqija. Kështu, agjërimi na mundëson të realizojmë këtë porosi profetike të mësipërme. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush falet në netët e Ramazanit me besim dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Dhe: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumah, Ramazani deri në Ramazan, shlyejnë mëkatet e bëra mes tyre nëse njeriu u largohet mëkateve të mëdha.” Muslimi. Dhe: “Kush falet në natën e Kadrit, me besim dhe me shpresë, do t’i fale mëkatet e kaluara.” Kështu na mëson Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem që të përfitojmë prej muajit të Ramazanit. Të mundohemi t’i gjallërojmë ditët e Ramazanit me lexim të Kuranit, me dhikër, me lutje, me adhurime të ndryshme dhe vepra që afrojnë tek Allahu, po ashtu me lexim të librave të dobishme të dijetarëve etj.

-Morali i mirë, i lartë, sjellja e mirë, raportet e mira me njerëzit. Kjo ka të bëjë me raportin me njerëzit. Ramazani është një shkollë madhështore. Njeriu arrin të edukojë nefsin e tij, ta dëlirë atë, ta pastrojë prej çdo morali që nuk është i mirë drejt moraleve të mira e të larta. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush është agjërueshëm mos të flasë fjalë të ulëta (të ndyra, të pamoralshme) dhe mos ta ngritë zërin. E nëse dikush e ofendon le të thotë: “Unë jam agjërueshëm!” Mos ia kthejë me të njëjtën. Kështu njeriu e trajnon vetveten. E pastaj edhe pas Ramazanit të vazhdojë me këto morale. Dhe: “Kush nuk braktisë fjalët e këqija, veprimin me mëkate dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqim dhe pijen e tij.” Kështu pra ne duhet ta marrim Ramazanin si shkollë përmes së cilës pastrojmë moralin tonë, përmirësojmë sjelljet tona dhe raportet me të tjerët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na qorton ashpër që mos të jemi të atillë që hisja jonë e agjërimit të jetë vetëm uria dhe etja, apo hisja jonë prej namazit të natës të jetë vetëm lodhja dhe pagjumësia. Ramazani është një shans e çmuar përmes së cilës arrin të ngritësh/pastrohesh shpirtërisht drejt pozitave të larta. Kjo arrihet kur besimtari e realizon agjërimin ashtu siç na ka mësuar Allahu dhe i Dërguari i tij, e ruan, e plotëson dhe e përkryen atë. Vetëm ky agjërim sjell rezultate në këtë botë dhe tjetrën. Agjërimin duhet ta marrim si mundësi për shërimin e zemrës, gjuhës, për shërimin e vetes sonë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit