Urtësi nga Ibn Kajim el Xheuzije

• Kur besimtarët e panë, sesi kjo botë, kish nënshtruar të dashuruarit pas saj, sesi ata jetonin me shpresa të rreme, sesi djalli ishte bërë udhëheqësi i tyre dhe sesi pushteti tashmë i përkiste shpirtit fajtor, u drejtuan drejt kalasë së lutjes dhe përgjërimit, ashtu siç futet skllavi i frikësuar në territorin e padronit të tij.

• Qejfet e kësaj bote janë si teatri i hijeve, i padituri kufizohet vetëm në atë që i shohin sytë, ndërsa një njeri i mençur, shikon edhe përtej perdeve nga ku luhet loja.

• Para tyre shkëlqeu ajo që lakmonin dhe kur zgjatën duart që ta merrnin, panë me sytë e mendjes rrjetën e kurthit, e me shpejtësi fluturuan me krahët e rrezikut, për të mos gabuar më herën e dytë, ah sikur populli im ta dinte!

• Ata e panë këtë botë dhe e kuptuan qëllimin, u bënë gati për udhëtim para se të vinte koha dhe morën rrugën e duhur, që në fillim. Njerëzit janë të preokupuar me gjëra dytësore, ndërsa ata janë duke kapërcyer shkretëtirat dhe ndërsa zogjtë e qejfit kanë ngecur në rrjetë, presin të theren.

• Dy gjarpërinj ranë në lak dhe njëri i tha tjetrit: ‘Ku do të shkojmë pas kësaj?’ ‘Mbas dy ditësh, atje ku regjen lëkurët.’- ia ktheu tjetri.

• Pasha Zotin, ditët që shkuan nuk qenë vetëm se një ëndërr dhe kur u zgjuan, arritën atë që dëshironin.

• Ajo që shkoi nuk qe vetëm se ëndrra, e çka mbetur është vetëm dëshira, por koha humbet ndërmjet këtyre të dyjave.

• Si mund të shpëtojë një njeri që ka një grua që nuk e mëshiron, një fëmijë që nuk e justifikon, një komshi që nuk e siguron, një mik që nuk e këshillon, një ortak që i bën hile, një armik që nuk e zë gjumi, si e si t’i bëjë keq, një shpirt që shtyn për prapësi, një botë që i rri përpara e zbukuruar, një pasion të ulët që e ndjek nga pas, një epsh që e mund, një zemërim që e mposht, një shejtan që ia zbukuron gjërat dhe një dobësi që e ka kapluar të gjithin?! Nëse Allahu do ta marrë në mbrojtje, të gjitha këto do të humbasin, por nëse do ta lërë në duart e vetvetes, patjetër që të gjitha këto do ta shkatërrojnë.

• Kur njerëzit i kthyen shpinën Kur’anit dhe Sunetit, nuk vendosnin më sipas tyre dhe besuan se këto të dyja nuk mjaftojnë, por i dhanë përparësi opinioneve të tyre, analogjisë, asaj që u dukej atyre e mirë dhe fjalëve të të parëve të tyre, e gjithë kjo erdhi si pasojë e prishjes së natyrshmërisë së tyre, errësirës në zemra, paqartësisë në të kuptuar, shpëlarjes së trurit dhe të gjitha këto u bënë karakteristikë e përgjithshme, ku njeriu lindej, rritej dhe plakej me këto ide, duke mos iu dukur aspak të këqija, tamam atëherë mbi ta erdhi një shtet tjetër, ku vendin e Sunetit e zuri bidati, vendin e logjikës, dëshirat, vendin e arsyes, pasionet, vendin e udhëzimit, humbja, vendin e së mirës, e keqja, vendin e dijes, injoranca, vendin e sinqeritetit, hipokrizia, vendin e së vërtetës, e kota, vendin e ndershmërisë, mashtrimi, vendin e këshillës, lajkat, vendin e drejtësisë, tirania, pra, tërë pushteti u takonte këtyre veseve. E të gjitha këto që thashë, janë për banorët e këtij vendi, ashtu siç ishin edhe të parat, po për ta.

Nëse të zë syri një vend me të tilla cilësi, ku të tilla gjëra janë bërë pjesë e jetës, dije se të jesh i vdekur është më mirë sesa i gjallë, të marrësh majat e maleve është më mirë se të jetosh nëpër fusha, e të jesh në shoqërinë e egërsirave, është shumë më mirë sesa në atë të njerëzve.

Toka është drithëruar, qielli errësuar, fatkeqësi janë shfaqur në tokë e në det, si pasojë e padrejtësisë së tiranëve. Nuk ka më bereqet, të mirat janë pakësuar dhe gjahu është zhdukur si pasojë e krimeve të njerëzve shkatërrimtarë. Oh! Edhe drita e ditës dhe errësira e natës kanë filluar të vajtojnë për shkak të punëve të ndyra dhe veprave të fëlliqura që bëjnë njerëzit! Engjëjt që shkruajnë dhe ata që udhëtojnë, kanë filluar të ankohen te Zoti për imoralitetin që është shtuar, për të këqijat që janë shfaqur, për poshtërsitë që janë përhapur… dhe kjo padyshim, për Zotin, nuk është veçse një re e zezë që paralajmëron për shtrëngatën e ndëshkimit që po vjen, një shenjë për belanë që po sjell kjo natë e errët! Largohuni pra nga rruga e kësaj furtune duke u penduar sinqerisht, sepse porta e pendimit, akoma është e hapur dhe kthimi te Zoti, akoma është i mundur! Por ja, porta para jush do të mbyllet, pengu i borxhit do t’u merret dhe krahët do t’u lidhen, “dhe ata që bëjnë padrejtësi, do ta shohin se ku kanë për të përfunduar.” (Shuara, 227)

• Blije veten tënde sot, sepse tregu është i hapur, shumën e ke me vete dhe malli është i lirë, sepse do të vijë një ditë, kur nuk do të gjesh më mall në treg, as lirë e as shtrenjtë, e “ajo do të jetë Dita e humbjes, atë “ditë kur mëkatari do të kafshojë duart e tij. “ (Tegabun, 9)

Nëse udhëton dhe trastën e sevapeve me vete bosh e mban.
Dhe atë ditë kur të shohësh sesi të tjerët plot e kanë.
Pishman do të bëhesh, por atë ditë,
psherëtimat nuk të bëjnë derman.

• Puna që bëhet pa sinqeritet dhe jo brenda rregullave të fesë, i ngjan atij udhëtarit që i ka mbushur çantat me rërë, veten e rëndon dhe dobi prej saj nuk fiton.

• Nëse mendjen dhe zemrën e mbingarkon me hallet dhe preokupimet e kësaj bote, ke për të lënë mbas dore për-mendjen e Zotit, që është gjallëria dhe forca jote, e kështu do t’i ngjash atij udhëtari, që mjetin e tij e mbingarkon dhe nuk i jep atë që ka nevojë, e ai shpejt do ta lërë në mes të rrugës.

I pavendosuri që jetën e shkon ca këtu e ca atje.
I shastisur shkon, as i fituar e as i shtrirë përdhe.
O bari i qeve, a e di se jo të gjithë buajt punojnë shpejt?
Merre më shtruar, se poshtë thundrave të tyre ka gurë dhe hendekë!

• Ai që fillon të ndjejë ëmbëlsinë e shërimit, e kalon lehtë hidhësinë e ilaçeve.

• Pikësynimi përfundimtar është i pari që vlerësohet dhe i fundit që vjen, ai qëndron si parim gjithmonë në mendjen e një të mençuri.

• Të është bërë zakon që ta shohësh veten si të pa-mundur, por nëse ambicien do ta kishe të madhe, gjërat do të të ishin dukur më të lehta dhe lartësitë më të arritshme.

• Njerëzit dallojnë nga ambiciet që kanë dhe jo nga pamja e jashtme.

• Ambicia e pakët e fshesarit, e çoi atë të merret me pastrimin e plehrave.

• Ndërmjet teje dhe njerëzve të suksesshëm, qëndron ma-li i tekave, ata e kanë lënë pas shpine, ndërsa ti e ke akoma përpara. Jepi vlerën që i takon vendit ku je, që t’i arrish ata.

• Kjo botë është terreni ku zhvillohet gara, pluhur i madh është ngritur nga gara dhe ai që është përpara, nuk duket. Gjithkush në këtë pistë vrapon, dikush me kalë, dikush në këmbë dhe dikush me një gomar të çalë.

Kur pluhuri të largohet dhe të mbarojë kjo garë.
Do të shohësh nëse kalë kishe nën vete, apo gomar.

• Të keqen e ka në natyrën e tij, por zelli është më i suksesshëm.

• Një hajdut i pangopur ecën vetëm në errësirat e tekave.

• Forca e dëshirës për të arritur atë që shpreson, të shtyn të bësh përpjekje maksimale për të arritur atë që dëshiron dhe të jesh i kujdesshëm, për të mos e humbur atë.

• Koprraci është një njeri i varfër, që nuk do të marrë shpërblim për varfërinë e tij.

• Mos lut tjetërkënd veç Zotit tënd, sepse është turp për shërbëtorin që t’i lutet dikujt tjetër, veç zotërisë së tij.

• Një grua e ndershme e duron urinë dhe nuk ushqehet me nderin e saj.

• Mos u familjarizo me atë që nuk do të jetë përherë me ty, por kërko shoqërinë e Atij që nuk të ndahet.

• Vetmia për të paditurin është shkatërrim, ndërsa dijetari në vetminë e tij, e ka edhe ushqimin, edhe pijen me vete.

• Kur logjika dhe e vërteta takohen në shtëpinë e vet-misë, atëherë mes tyre prezanton mendimi dhe heshtur mes tyre, nis një bisedë.

Një bisedë e këndshme kjo që nuk të lodh.
Qoftë në vargje apo në prozë.
Kur shpirti e kujton, lodhjen ma largon.
Dhe zemrën nga errësirat e çliron.

• Kur armiku yt thotë një fjalë pa vend, ti mos lësho një tjetër të ngjashme me të, sepse të dyja bashkë, do të lindin pasardhës të këqij.

• Zelli për të mbrojtur veten, vjen nga mosnjohja e saj, nëse do ta njihje atë ashtu siç duhet, nuk do t’i kishe dalë në krah.

• Kur zjarri i hakmarrjes nis nga zemërimi, hakmarrësin djeg të parin.

• Lidhe zemërimin tënd me zinxhirët e vetëpërmbajtjes, sepse ai është një egërsirë që nëse e lë të lirë, të kafshon.

• Nëse Allahu e do një njeri, në zemrën e tij mbjell farën e suksesit, më pas e ujit me ujin e dëshirës dhe frikës, e më pas e mban nën kontroll dhe përkujdesje, i vë për roje dijen dhe ja, pema ka filluar të ngrihet mbi trungun e saj.

• Nëse në errësirën e natës së plogësht del ylli i ambicies dhe pas tij vjen hëna e vendosmërisë, atëherë toka e zemrës do të ndriçohet nga drita e Zotit të saj.

• Kur nata hedh petkun e saj të errët, gjumi dhe zgjimi fillojnë të ndeshen mes tyre, në kampin ku njerëzit janë zgjuar, frika dhe shpresa kaplon radhët e tij, ndërsa dem-belizmi dhe rehatia ka pushtuar batalionin e shkujdesur. Kur vendosmëria sulmon, sulmon në ballë, dhe ushtria e neglizhencës shpartallohet, e kështu, pa ardhur agimi, lufta ka përfunduar dhe plaçka e saj është ndarë për fitimtarët.

• Udhëtimin e natës nuk e përballon vetëm se një kalë i stërvitur mirë.

• Në krye të karvanit qëndrojnë gjithmonë devetë më të mira, ndërsa në fund të saj, ato që mbartin ushqimet.

• Mos u lodh së qëndruari para derës së Zotit edhe po të përzunë, dhe mos e ndërprit kërkesën edhe po të kthyen mbrapsht, e nëse dera do të hapet për të pranuarit dhe ti nuk je mes tyre, depërto brenda ashtu si gënjeshtarët dhe hyr si qylaxhinjtë, zgjat dorën e lëmoshës dhe thuaj: ‘Më fal edhe mua!’

• O ti që kërkon të hapësh derën e jetës pa çelësin e devotshmërisë! Pse zgjeron rrugën e gabimeve dhe pastaj ankohesh se risku është i pakët?!

• Nëse do të qëndrosh te qëllimi i devotshmërisë, nuk do ta humbësh atë që kërkon.

• Mëkatet mbyllin derën e riskut, njeriu mund të privohet nga begatia, për shkak të gjynaheve që ai bën.

• Për Zotin, sa herë që me dëshirë unë vij për vizitë te ju, rruga më duket më e shkurtër dhe sa herë që derës suaj nuk kam vullnet t’i afrohem, aq herë edhe me veten pengohem.

• Kush do të dijë për pozitën e tij te mbreti, le të shohë se ç’punë i ngarkon ai dhe ç’pozitë do t’i japë.

• Bëhu prej bijve të botës tjetër dhe jo prej bijve të kësaj dynjaje, sepse fëmija është biri i nënës së tij.

• Kjo botë nuk vlen as sa barra qiranë, pse atëherë vrapon pas saj?!

• Kjo botë është një kërmë dhe luani nuk u afrohet kërmave.

• Kjo botë është një rrugë kalimtare dhe bota tjetër shtëpia e përhershme, rehatia dhe qejfet bëhen në shtëpi dhe jo në udhëtim.

• Grumbullimi me vëllazërinë është dy llojesh:

I pari: për t’i bërë shoqëri njëri-tjetrit dhe për të kaluar kohën. Një gjë e tillë, më tepër dëmton sesa ka dobi. Gjëja më e pakët që mund të thuhet për të tilla grumbullime, është se trazon qetësinë e zemrës dhe humbet kohën.

E dyta: për të bashkëpunuar në të mira dhe për t’u këshilluar për çka është e dobishme dhe e drejtë, padyshim që kjo është nga gjërat më të dobishme dhe më fitimprurëse, por në të shfaqen tre defekte:

E para: zbukurimi para njëri-tjetrit.
E dyta: teprimi dhe thellimi në biseda të panevojshme.
E treta: kthimi i këtyre takimeve në traditë dhe kënaqësi, duke harruar qëllimin e mbledhjes.

Grumbullimet dhe takimet në fund të fundit, nuk janë gjë tjetër, veçse çiftëzime dhe mbarsje, ose të një fryme të keqe, ose të një qetësie dhe rehatie shpirtërore. Ky është edhe përftimi i kësaj mbarsjeje, nëse është nga diçka e mirë, i mirë do të jetë edhe fryti. Shpirtrave të mirë, mbarsja iu vjen nga engjëlli, ndërsa shpirtrave të këqij, nga shejtani. Allahu me urtësinë e Tij, i ka caktuar të mirët për të mirat dhe të mirat për të mirët, po kështu edhe e kundërta. [1]

———————————————-
[1] Burimi: Libri ‘El-Feuaid’.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit