Dashuria për hir të Allahut

  • Dashuria për hir të Allahut

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse e do dikë për hir të Allahut, thuaja!” Duhet t’i thuhet “Të dua për hir të Allahut”. E tjetri duhet t’ia kthejë: “Edhe ty të dashtë Allahu për hir të të Cilit më do!” Mirëpo, dashuria për hir të Allahut ka shenja. Një prej dijetarëve të selefit kur i ka pyetur nxënësit e tij se a duan për hir të Allahut, kanë thënë se po, pastaj ai i ka pyetur: “A lejoni që ata (që i doni për Allahun) të fusin dorën në xhepin tuaj e të bëjnë çfarë të duan (me atë që e keni në xhep)?” Ata janë përgjigjur: “Jo.” Atëherë ai u ka thënë se kjo nuk është dashuri për hir të Allahut.

Kur i thua dikujt se e do për hir të Allahut, atëherë ai mund të fusë dorën në xhepin tënd e të marrë (parat) çfarë të dojë e ndërsa ti i thua “Merri, janë tuat”, kjo është dashuri për hir të Allahut. Dijetarët kanë thënë se dashurinë për hir të Allahut nuk e shton bamirësia e respekti, e as nuk e pakëson mosrespekti.

Kur e do dikë për hir të Allahut dhe ta bën një të mirë, kjo dashuri nuk shtohet më, ngase ti nuk e do atë për interes, që të presësh prej tij të mira a respekt. Por, gjithashtu nëse ai që e do për hir të Allahut tregon ndonjëherë mosrespekt sa duhet ndaj teje, kjo nuk do ta pakësojë këtë dashuri ndaj tij. Kjo është shenjë e dashurisë për hir të Allahut.

Shumë njerëz pretendojnë se e duan njëri-tjetrin për Allahun e kur u ndodh ndonjë problem a mospajtim, sheh të ndahen dhe urrehen. Gjithashtu prej dashurisë për hir të Allahut ndaj dikujt është që kur e sheh gabim t’ia tërhiqesh vërejtjen. E nuk është prej kësaj dashurie që kur ta shohësh në gabime të heshtësh, por duhet ta këshillosh që të mos veprojë gabime, e gjithashtu ta nxitësh për vepra të mira. Këto janë prej shenjave kryesore të dashurisë për hir Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit