يَا أَيُّها النَّاس تُوبُوا إِلى اللَّهِ واسْتغْفرُوهُ فإِني أَتوبُ في اليَوْمِ مائة مَرَّة
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju njerëz! Pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje tek Ai, sepse vërtetë unë pendohem[1] gjatë ditës njëqind herë!” Shënon Muslimi
Ky hadith tregon se Allahu, çdo muslimani, ia ka hapur dyert e pendimit të sinqertë. Ai u ka premtuar të penduarve shpërblime të mëdha. Ky premtim ka ardhur në ajete të ndryshme, si: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan 70.
Kjo thirrje e përmendur në hadith i drejtohet të gjithë njerëzimit, e jo vetëm muslimanëve, thotë: “O ju njerëz!”, që t’i thërrasin mendjes dhe të kthehen në natyrshmërinë në të cilën i krijoi Allahu dhe të pranojnë Islamin, i cili shlyen mëkatet e tyre.
Ky urdhër i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem përmban në vete nxitjen dhe inkurajimin për t’u penduar e për të kërkuar falje. Urdhri i ardhur në hadith tregon për obligueshmëri. Pra, pendimi tek Allahu është obligim për çdo njeri.
Disa dijetarë kanë thënë: “Pendimi nuk është i plotë veçse me kërkim falje – istigfar.” Siç ka thënë Allahu: “…të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë.” Hud 3. Sikur istigfari qenka fryt i pendimit apo rrugë për tek ai, në mënyrë që të jetë pendim i sinqertë, i plotë e i pastër.
Istigfari është kërkimi i faljes tek Allahu, me gjuhë, ose me zemër, ose me të dyja bashkë. Istigfari vetëm me gjuhë ka dobi te njeriu, sepse më e mirë është kjo mënyrë sesa heshtja dhe se në këtë mënyrë njeriu e mëson gjuhën të flasë fjalë të mira. Istigfari me zemër është më i dobishëm sepse konfirmon sinqeritetin në pendim dhe mban larg nga syefaqësia e hipokrizia. Ndërsa, istigfari që bëhet me gjuhë dhe me zemër, është shumë më i fuqishëm dhe madhështor dhe tregon më shumë për sinqeritetin e atij që pendohet.
Istigfari është një lloj sigurie prej dënimit të Allahut, siç thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” Enfal 33. Ne si besimtarë që jemi, duhet të kuptojmë mirë nevojën e madhe që kemi për istigfarin. Vazhdimisht duhet të pendohemi e të kërkojmë falje tek Allahu për mëkatet tona.
[1] Rreth fjalës “…vërtet unë pendim gjatë ditës njëqind herë”, dijetarët kanë dhënë shpjegime të ndryshme. Disa kanë thënë: Është e lejuar për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem që të bëjë disa mëkate të vogla, por që Allahu nuk ia miraton ato, andaj menjëherë e përmirëson dhe ia fal. Disa të tjerë kanë thënë: Ai salAllahu alejhi ue selem ka qenë i vazhdueshëm në pendim si falënderim ndaj Allahut dhe si mëshirë për umetin e tij (ai nuk ka kërkuar falje vetëm për veten e vet, por edhe për umetin e tij).
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim


