“Allahu e shtrin Dorën e Tij gjatë natës që të pendohet”

 

إِن الله تَعَالَى يبْسُطُ يدهُ بِاللَّيْلِ ليتُوب مُسيءُ النَّهَارِ وَيبْسُطُ يَدهُ بالنَّهَارِ ليَتُوبَ مُسِيءُ اللَّيْلِ حتَّى تَطْلُعَ الشَّمْسُ مِن مغْرِبِها

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, Allahu e shtrin Dorën e Tij gjatë natës që të pendohet mëkatari i ditës dhe e shtrin Dorën e Tij gjatë ditës që të pendohet mëkatari i natës, (kjo) derisa dielli të lindë nga perëndimi.” Shënon Muslimi

Në këtë hadith, na paraqitet një pamje madhështore që tregon për pranimin e pendimit nga Allahu dhe se Ai e do pendimin e atyre që pendohen. Allahu gëzohet shumë kur robërit e Tij mëkatarë i përgjigjen Thirrjes së Tij: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31.

Allahu ka hapur derën e pendimit në çdo kohë dhe në çdo vend, gjatë ditës e natës, në mëngjes e mbrëmje. Ata që kanë rënë në mëkate duke qenë në fshehtësi gjatë natës, me mendimin se Allahu nuk e di këtë dhe nuk i sheh (kështu mendojnë për shkak të injorancës), atëherë kur zgjohen dhe i përgjigjen thirrjes së besimit, bindjes dhe pendimit, Allahu ua pranon pendimin.

Po ashtu, ata që kanë bërë mëkate haptazi gjatë ditës, duke marrë guximin që t’i shkelin ndalesat, atëherë kur vije nata dhe futen në kopshtin e bindjes dhe adhurimit ndaj Allahut, përjetojnë kënaqësinë e faljes së Tij dhe pendimit tek Ai.

Allahu e shtrin Dorën e Tij” – kjo tregon për Bujarinë e Allahut dhe se Ai nuk i privon besimtarët dhe njerëzit në përgjithësi prej të mirave të Tij dhe tregon për Mëshirën e Allahut dhe se Ai fal shumë mëkate të njerëzve. Allahu vazhdimisht e shtrin Dorën e Tij që t’ua pranojë pendimin mëkatarëve të ditës dhe të natës. Dera e pendimit është e hapur dhe nuk mbyllet qoftë dhe për një çast.

(kjo) derisa dielli të lindë nga perëndimi” – kjo tregon për një fund, se do të mbyllet dera e pendimit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit