Si t’i rikthejmë vlerat dhe moralet tona të bukura (islame)? 

Si t’i rikthejmë vlerat dhe moralet tona të bukura (islame)? 

Ne si pjesëtarë të umetit të Muhamdit salAllahu alejhi ue selem, këtij Pejgamberi të madh, duhet të dimë se nga qëllimet e synimet më të larta me të cilat ka ardhur Sheriati i pavdekshëm të cilin e ka sjellë ai, është përmirësimi dhe gdhendja e moraleve, krahas besimit (akides) dhe veçimit të Allahut me adhurime (teuhidit).

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Jam dërguar që të plotësoj moralet fisnike.” Buhariu

Dhe: “Jam dërguar që të plotësoj dhe përsosë moralet e mira.” Buhariu

Këtë aspekt praktik ai salAllahu alejhi ue selem e ka zbatuar me fjalët e tij, me veprat e tij dhe me thirrjen e tij.

Moralet janë kusht për plotësimin e besimit. Kështu na ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Besimtari me besimin më të plotë është ai që ka moralin më të mirë.” Tirmidhiu

Rrugët përmes të cilave bëhet ngritja morale:

  • Besimi tek Allahu dhe Emrat dhe Cilësitë e Tij. Kur besimtari e adhuron Allahun përmes Emrave dhe Cilësive të Tij, me këtë do të përmirësojë moralet e tij. Shembull: Kur e di se Allahu është es Semi – Gjithdëgjuesi, atëherë kjo na nxit të mos flasim përveçse fjalë të cilat i do Ai. Kur e di se Allahu është el Besir – Gjithshikuesi, atëherë kjo na nxit të kemi kujdes që të mos shkojmë aty ku na ka ndaluar dhe na nxit të jemi aty ku na ka urdhëruar. Kur e dimë se Allahu është el Alim – i Gjithëdijshmi, atëherë do ta kemi parasysh se Ai e di çfarë fshehim në zemrat tona, andaj nuk do të bartim në të urrejtje, zili apo armiqësi ndaj besimtarëve. Kur e dimë se Allahu është err Rrakiib – Mbikëqyrësi, atëherë për çdo lëvizje apo moslëvizje tonë do ta marrim veten në llogari

 

  • Bërja e adhurimeve. Allahu ka ligjësuar adhurime, dhe një arsye e kësaj është pastrimi e nefsit tonë dhe përmirësimi i moraleve tona. Shembull: Namazi largon nga gjërat e shëmtuara dhe mëkatet, zekati pastron nga koprracia, lakmia dhe ego, agjërimi sjell devotshmërinë dhe është mburojë ndaj mëkateve, haxhi është shkollë edukative etj.

 

  • Kundërshtimi i nefsit dhe disiplinimi i tij drejt moraleve të mira. Allahu thotë: “Ata që luftojnë (përpiqen, luftojnë nefsin e tyre) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dija arrihet duke mësuar. Vetëpërmbajtja arrihet duke u vetëpërmbajtur. Ai që zgjedh të veprojë të mirën, Allahu ia jep atë. Ai që ruhet prej të keqes, Allahu e ruan atë.” Gazaliu duke folur për moralet ka thënë: “Moralet janë dy lloje: Instiktive dhe të lindura. E nga to ka që arrihen me kohë, kjo duke e trajnuar veten, duke i praktikuar dhe duke u përpjekur. Disa thonë: “Kështu kam lindur dhe nuk mund të ndryshoj karakterin tim.” Mirëpo, nuk është kështu, sepse po të ishte e vërteta që moralet nuk mund të ndryshohen kurrë, atëherë të gjitha porositë dhe këshillat (fetare) do të anuloheshin e nuk do të kishin dobi.” Një nga dijetarët ka thënë: “Moralet e mira kërkojnë përsëritje dhe vazhdimësi, derisa të shihen rezultatet. Kjo vazhdueshmëri kërkon durim. Ai që dëshiron të stolisë veten me ndonjë nga moralet e mira e të virtytshme, duhet që së pari të stoliset me durim. Nëse tregohet i durueshëm dhe i vazhdueshëm në trajnimin e nefsit drejt atij morali të mirë, atëherë edhe nefsi do t’i nënshtrohet dhe do ta pranojë atë (moral të mirë).”

 

  • Marrja për model dhe shembull Muhamedin salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” Ahzab 21. Madje, Allahu e ka urdhëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem që të marrë shembull Pejgamberët e mëhershëm. Gjithashtu, marrja për model sahabët – shokët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në moralet e tyre të larta. Abdullah ibën Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Kush dëshiron të marrë shembull/model dikë, le të marrë ata që kanë vdekur – ngase të gjallët nuk janë të sigurt nga fitnet- dhe me ta (të vdekurit) kam për qëllim sahabët. Ata kanë qenë më të mirët e më të vlefshmit e këtij umeti, me zemrat më të devotshme dhe me dijen më të thellë dhe të cilët më së paku e kanë tepruar. Allahu i ka zgjedhur ata që të shoqërojnë Pejgamberin e Tij dhe që përmes tyre të ngrehë fenë e Tij. Të dini se çfarë vlere të madhe kanë pasur sahabët! Ndiqni ata në gjurmët e tyre! Sa të keni mundësi, kapuni pas moraleve të tyre dhe mënyrës se si e kanë jetuar jetën, ngase vërtet ata kanë qenë në një udhëzim të drejtë.”

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit