من نفس عن مؤمن كربة من كرب الدنيا نفس الله عنه كربة من كرب يوم القيامة، ومن يسر على معسر يسر الله عليه في الدنيا والآخرة، ومن ستر مسلماً ستره الله في الدنيا والآخرة، والله في عون العبد ما كان العبد في عون أخيه، ومن سلك طريقاً يلتمس فيه علماً سهل الله له به طريقاً إلى الجنة، وما اجتمع قوم في بيت من بيوت الله يتلون كتاب الله ويتدارسونه بينهم إلا نزلت عليهم السكينة.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ia largon një besimtari një brengë/vështirësi prej brengave/vështirësive të kësaj bote (e çliron prej saj), atij Allahu do t’ia largojë një vështirësi prej vështirësive të Ditës së Kiametit (Gjykimit). Kush ia lehtëson dikujt një vështirësi (borxh), atij Allahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe tjetrën. Kush ia mbulon të metat muslimanit, atij Allahu do t’ia mbulojë të metat në këtë botë dhe tjetrën. Allahu është në ndihmë të robit të Tij kur ai e ndihmon vëllain e tij. Ai që ndjek një rrugë për të kërkuar një dije, Allahu do t’ia lehtësojë atij një rrugë prej rrugëve të xhenetit (e cila do ta dërgojë në të). Sa herë që disa njerëz tubohen në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (xhami) dhe lexojnë Librin e Allahut (fjalët apo kuptimet) dhe e mësojnë ndërmjet veti, mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira (e Allahut), do t’i rrethojnë engjëjt (nga të gjitha anët, të radhitur) dhe Allahu do t’i përmendë (lavdërojë) tek ata që janë tek Ai (tek engjëjt). Atë që e lënë mbrapa veprat e tij, nuk e dërgon para prejardhja e tij.” Muslimi.
Në këtë hadith ka nxitje që ne sa më shumë të largojmë brengat dhe vështirësitë (e ndryshme) të vëllezërve muslimanë me të cilat ata goditen. Dhe shpërblimi është sipas llojit të veprës.
-“kurbe” në gjuhën arabe quhet çdo brengë a vështirësi. Është për qëllim ajo brengë a vështirësi e cila e rrethon besimtarin nga të gjitha anët (shpirt, zemër, mendje etj.), saqë i ngushtohet edhe toka në të cilën jeton ndonëse ajo është e gjerë.
-“një brengë/vështirësi” ka ardhur e pashquar në hadith, që do të thotë se përfshin të gjitha brengat e vështirësitë që i ndodhin, si: nga ana psikologjike, shpirtërore, në pasuri, trup, madje edhe nga ana fetare. Dhe largimi i brengës bëhet: duke e ndihmuar me pasuri, apo duke ia thënë një fjalë të mirë lehtësuese, apo duke e ndihmuar përmes pozitës që ke etj. Kjo është e përgjithshme. Dhe Allahu do të shpërblejë sipas veprës tënde (do të të çlirojë prej brengave të botës tjetër, atëherë kur më së shumti ke nevojë për këtë). Porse, shpërblimi i Allahut është shumë më i madh dhe se vështirësitë e botës tjetër nuk mund të krahasohen me vështirësitë e kësaj bote (ato janë më të mëdha, më të rënda).
“lehtëson dikujt një vështirësi (borxh)” dikujt që është në borxh dhe nuk ka mundësi ta shlyejë atë. Lehtësimi bëhet në disa mënyra: duke e ndihmuar me pasuri të shlyejë borxhin që tjetri ka ndaj dikujt, apo nëse ai ka borxh ndaj teje dhe nuk ka mundësi[1] ta shlyejë atë atëherë ia lehtëson duke ia shlyer një pjesë, duke ia shtyrë afatin apo duke ia shlyer tërë borxhin. Hadithi përfshin të dy rastet, mirëpo në rastin e parë lehtësimi është gjë e preferuar,[2] ndërsa rasti i dytë (kur të ka borxh ty) atëherë lehtësimi është obligim. Lehtësimi i vështirësisë së borxhit është prej virtyteve të larta dhe lëmoshave madhështore.
“Allahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe tjetrën”- lehtësimi është në nivele të ndryshme, dallon ndërmjet besimtarëve, varësisht nga ajo se sa kanë qenë të devotshëm dhe sa kanë bërë vepra të mira.
“ia mbulon të metat”- gjërat për të cilat qortohet, qoftë nëse kanë të bëjnë me burrërinë e tij, apo me moralin e tij, apo me fenë e tij, apo me veprat e tij etj. Kjo i përfshin të gjithë muslimanët (të devotshmit dhe mëkatarët). Kjo është prej veprave më të vlefshme. Madje, disa dijetarë këtë e kanë konsideruar diçka obligative. Pra, nëse e di se vëllai musliman e ka bërë një mëkat, atëherë mbuloja dhe përpiqu sa më shumë ta këshillosh atë. Mbulimi i të metave është tri lloje:
- Kur mbulimi është diçka e mirë. Shembull: Kur sheh apo e di se filani i cili është i devotshëm, ka sjellje të mirë dhe autoritet, ka rënë në një gabim apo mëkat dhe është penduar, duhet t’ia mbulojmë atë.
- Kur mbulimi dërgon në diçka më të keqe. Shembull: Kur sheh dikë të veprojë një mëkat dhe nëse ia mbulon atëherë ai e shton më shumë (dëmin, sherrin). Ky mbulim është i nënçmuar dhe është obligim ta demaskojmë atë person tek ai i cili e disiplinon për atë gabim/mëkat.
- Kur nuk e di se a është mirë apo keq. Në këtë rast mbulimi është gjë e mirë.
Pastaj, “kur ai e ndihmon vëllait të tij”, nëse e ndihmon kur ai ka nevojë atëherë Allahu do të ndihmojë kur ti ke nevojë për ndihmën e Tij, qoftë dhe nëse e ke ndihmuar një herë të vetme. Kjo ndihmë duhet të kuptohet drejtë. Këtu përfshihet edhe ndihma më e thjeshtë, si: ofrimi i këpucëve, ndihma të hipë në makinë, ofrimi i shtrojës etj. Kjo ndihmë është e kushtëzuar të jetë në devotshmëri dhe mirësi, “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” Maide 2. Nëse është çështja për diçka të lejuar (mubah), atëherë ndihma është bamirësi ndaj vëllait tënd. Ndërsa, nëse një gjë është e dëmshme, atëherë e ndihmon duke e këshilluar të largohet prej saj. Dera e ndihmës ndaj të tjerëve është shumë e gjerë.
“për të kërkuar një dije” –qëllimi është për dijen fetare. Hadithi na nxit të kërkojmë rrugët përmes të cilave pajisemi me dije fetare. Çdo rrugë që ndjekë, Allahu për shkak të saj do të ta lehtësojë një rrugë drejt xhenetit, me kusht që të jesh i sinqertë në këtë. Këtu hyjnë qoftë rrugët fizike (rruga në të cilën ecë, si: rruga prej shtëpisë për te shkolla ku mëson për fe, apo për në xhami), qoftë abstrakte (si: duke lexuar prej dijetarëve, duke dëgjuar ligjërata etj.). Prej punëve që dërgojnë në xhenet është kërkimi i dijes.
“disa njerëz” qoftë nëse janë dijetarë, apo nxënës të dijes, apo nga masa e thjeshtë, apo adhurues etj.
“mbi ta do të zbresë qetësia” qetësia shpirtërore, e zemrës, kënaqësia që ndjen në zemër.
“i mbulon mëshira (e Allahut)”, si mbulesë, nga të gjitha anët, dhe nuk ka mundësi të depërtojë tek ta shejtani e t’iu bëjë cytje.
“dhe lexojnë Librin e Allahut”- forma e lejuar që një grup ta lexojë Librin e Allahut:
–Të gjithë përnjëherë në formë të mësimit, si: mësuesi lexon ajetin pastaj të gjithë nxënësit përnjëherësh e përsërisin atë. Nëse bëhet në formë adhurimi, kjo është bidat.
–Njëri të lexojë (një faqe ose pjesën e vet) dhe të tjerët të heshtin, të dëgjojnë.
“nuk e dërgon para prejardhja e tij” nuk bën dobi mburrja me prejardhjen, apo se ajo është shkak që ai të jetë i dashur tek Allahu. Këto gjëra i asgjëson feja Islame. E gjithë çështja vërtitet rreth devotshmërisë dhe veprave të mira, “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” Huxhurat 13. Kjo është ajo që të ngrehë e të dallon prej të tjerëve.
Mirëpo, nëse dikush thotë se ka njerëz të devotshëm, në këtë rast i a dërgon para prejardhja e tyre? Përgjigje: Pa dyshim se prejardhja nganjëherë ka ndikim dhe mund t’i dallojë njerëzit. Andaj dhe arabët si lloj janë më të mirë sesa pjesa tjetër e njerëzve. Pastaj në mesin e arabëve, fisi Beni Hashim janë më të mirët sesa të tjerët prej Kurejshëve. Prejardhja ka një lloj ndikimi (p.sh. arabët kanë natyrë tjetër, andaj ata kuptojnë më shumë se të tjerët, janë më të vendosur, më guximtarë, arrijnë dije më të madhe, mirëpo nëse i lënë mbrapa veprat e mira atëherë bëhen njerëzit më të këqij- nuk u bën dobi prejardhja e tyre e mirë).
[1] Nuk lejohet t’ia kërkosh borxhin kur e di se ka varfëri të madhe, apo ta paraqitësh te organet kompetente etj. Duke bërë kështu, bën gabim dhe mëkat tek Allahu. Ndërsa, nëse është person që bën hile dhe ka mundësi të kthejë borxhin por thotë se gjendet në vështirësi në mënyrë që të vonojë kthimin e borxhit, atëherë ti ke të drejtë të kërkosh prej tij ta kthejë apo ta paraqitësh në organet kompetente.
[2] Përjashtim bën rasti kur e di se borxhliut (që i ka borxh dikujt tjetër) mund t’i ndodhë diçka e keqe nëse nuk e kthen atë, si: burgosja etj. Atëherë nëse ke mundësi ta ndihmosh, obligohesh ta ndihmosh, ngase me këtë do ta shpëtosh nga një e keqe që mund t’i ndodhë.
🎙Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim



