Edukata të tjera për lexuesit e Kuranit

Edukata të tjera për lexuesit e Kuranit

–Është e pëlqyeshme për personin i cili do që të lexojë Kuran, natën apo ditën, të marrë abdes dhe të pastrojë gojën me miswak (apo brushë), në shenjë respekti ndaj Kuranit.

–Është e pëlqyeshme që lexuesi i Kuranit të shpeshtojë leximin nga mus’hafi.

–Nuk është prej edukatës që njeriu të lirojë gazra gjatë leximit të Kuranit. Duhet të ndalet nga leximi derisa të përfundojë gazrat.

–Nëse lexuesit i hapet goja gjatë leximit të Kuranit, atëherë ndalet e nuk lexon me gojë të hapur (se kjo nuk është prej edukatës dhe nuk mund të nxjerrë shkronja siç duhet).

–Është e pëlqyeshme që gjatë leximit të Kuranit kur përmendet sexhdeja, të bëjë sexhde, sepse me këtë e kënaq Allahun dhe zemëron armikun e tij – shejtanin.

–Lexuesi i Kuranit duhet të meditojë për atë pjesë që lexon dhe të jetë i kujdesshëm të mos angazhohet me gjëra që ia shpërqendrojnë zemrën gjatë leximit të Kuranit.

–Kur të lexojë ndonjë ajet ku përmendet mëshira e Allahut, atëherë le të kërkojë prej Tij që ta mëshirojë. Kur të lexojë ndonjë ajet ku përmendet dënimi i Allahut, atëherë le të kërkojë prej Tij që ta ruajë.

–Nëse kotet gjatë leximit dhe nuk mund të vazhdojë, atëherë e ndërpret leximin dhe shtrihet të flejë.

Lexuesit e Kuranit duhet të edukohen me këto edukata dhe të mos tregohen të shkujdesur.

Ata, pasi e kanë lexuar dhe mësuar Kuranin përmendsh, atëherë le ta llogarisin veten. Nëse shohin te vetja e tyre se janë duke kryer obligimet dhe janë duke u larguar prej ndalesave, atëherë le të falënderojnë Allahun që u ka dhënë sukses drejt kësaj. Mirëpo, nëse shohin te vetja e tyre lëshime, atëherë duhet të kërkojnë falje tek Allahu, krahas kësaj ta lusin që t’i largojë nga kjo gjendje, e cila nuk u shkon përshtati lexuesve të Kuranit dhe me të cilën Ai nuk është i kënaqur, dhe të luten që t’i zhvendosë në një gjendje me të cilën Ai është i kënaqur, sepse kushdo që i lutet Allahut, Ai nuk do ta zhgënjejë atë.

Kush u përmbahet edukatave të përmendura në këtë libër, atëherë dobia e leximit Kuranit, do t’i shfaqet në të gjitha çështjet e tij dhe bereqeti i këtij leximi do ta prekë në këtë botë dhe tjetrën. Katade ka thënë: “Kush ulet të lexojë dhe studiojë Kuranin, nuk ngritët veçse me shtesë apo me pakësim.” Me shtesë – kur e kupton dhe vepron sipas Kuranit do t’i shtohet bindja. Ndërsa, me pakësim – kur atë që lexon e kundërshton me veprat e tij.

Hoxhë Petrit Perçuku

🔗Transkriptim

Madhësia e tekstit