A lejohen lojërat e fatit (kumari)?

A lejohen lojërat e fatit (kumari)?

Ky veprim është prej mëkateve të mëdha. Allahu, lojërat e fatit, i përmend në një ajet së bashku me hedhjen e fallit dhe me adhurimin e idhujve. Kjo tregon se sa mëkat i madh është luajtja kumar. Djalli është ai që nxit armiqësi mes njerëzve përmes konsumimit të alkoolit dhe kumarit. Kur njeriu pi alkool nuk di çfarë vepron. Atij i humbet mendja dhe mundë ta vrasë edhe vëllanë e tij, të afërmin e tij etj; pi alkool dhe duke vozitur i shkel të tjerët. Njashtu përmes kumarit shkaktohet armiqësi e sherr mes njerëzve. Ai që ka luajtur kumar çfarë ka fituar? Shih përfundimin e tij. E gjitha është një dështim. Në të kaluarën, ka ndodhur madje që kumarxhiu ta shesë edhe gruan e tij dhe rrobat e trupit të tij. A ka dështim më të madh sesa të vijë në këtë gjendje, duke humbur dhe shtëpinë e tij e duke i lënë fëmijët në rrugë. E madje, ta humbasë edhe nderin e tij. E gjithë kjo për çfarë fitimi? Për asgjë. Këto lojëra nuk duhet të quhen si lojëra të fatit. Përkundrazi, njeriu nuk ka fat në to. Gjithmonë është i dështuar. Nëse një herë fiton pak, njëqind apo njëmijë herë të tjera do të humbasë. Dijetarët e përmendin një rregull se i lumtur është ai që merr mësim nga të tjerët. Shih përfundimin e kumarxhinjve dhe merr mësim të mirë (që t’i braktisësh këto lojëra).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit