“Ai që nuk ka trup vepron çfarëdo që dëshiron” (Hadith)

“Ai që nuk ka trup vepron çfarëdo që dëshiron” (Hadith)

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prej fjalëve që i kanë arritur njerëzit (janë përcjellë brez pas brezi) nga Pejgamberët e hershëm (të parë), është “Nëse nuk ke turp vepron çfarëdo që dëshiron!” Buhariu. Ky hadith flet për një prej degëve të besimit, që është turpi. Turpi është gjë e lavdëruar në Islam. Ai është prej degëve të Islamit (siç ka ardhur në një hadith). Turpi është dhunti e brendshme e personit të cilit Allahu ia jep. Turpi është dy llojesh:

  1. I vendosur në natyrën e personit, moral i brumosur te disa njerëz. Ky është më i mirë.
  2. I fituar. Turpi i fituar është dy llojesh:

në raport me njerëzit- kjo bëhet duke e trajnuar veten në këtë, duke u shoqëruar me njerëz që janë të turpshëm;

në raport me Allahun- të qëndrojë larg mëkateve, ndalesave, të zbatojë urdhrat e Tij, këtë e arrin duke e shtuar besimin, dijen, veprat e mira.

 

Turpi ndahet gjithashtu në dy lloje:

  1. Turpi ndaj Allahut: të kesh turp që të mos jesh aty ku ta ka ndaluar Ai dhe të mos mungosh aty ku ta ka urdhëruar të jesh.
  2. Turpi ndaj krijesave: ta pengosh e ndalosh veten në veprimin e gjërave që kundërshtojnë moralet dhe sjelljet e mira njerëzore.

 

Turpi është i nënçmuar në rastet kur të pengon në kryerjen e një obligimi apo të shtyn të biesh në një mëkat apo ndalesë, p.sh.: dikë e pengon turpi që të ndalojë dikë tjetër prej një mëkati, ndonëse e ka për obligim këtë. Turp i lavdëruar është ai që nuk shtyn në braktisjen e një obligimi apo në veprimin e një mëkati.

Dijetarët rreth hadithit janë ndarë në dy mendime sa i përket sqarimit të tij:

  1. Ata që thonë se është urdhër- të veprosh çfarëdo që dëshiron prej gjërave që lejohen (të mos jetë prej atyre gjërave që janë turp të veprohen) e të mos kesh turp në këtë,
  2. Ata që thonë se nuk ka ardhur në formë urdhri, porse më tej ata ndahen në dy mendime:
  3. Nëse nuk ke turp që të pengon për kryerjen e ndalesave, mëkateve, gjërave të urryera apo lënies së obligimeve, atëherë vepro çfarë të duash, ngase ai që s’ka turp nuk ka mirësi tek ai. Ata thonë se këtu ka kërcënim. Vepro çfarë të duash porse dije se të pret dënimi e pasojat pastaj (e nuk është fjala se janë të lirë apo e kanë mundësinë të veprojnë çfarë të duan).
  4. Ka ardhur në formë lajmërimi. Ato gjëra për të cilat nuk ke turp, i vepron. Këtu tregohet e njoftohet se çfarë veprojnë njerëzit, e prej çështjeve të tyre është se prej gjërave për të cilat nuk kanë trup ata i veprojnë ato.

 

Hadithi mund të kuptohet në të dy sqarimet (1. është urdhër, 2. nuk është urdhër, porse ka ardhur në formë kërcënimi apo lajmërimi).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit