Bashkëndjenja në sprova

Bashkëndjenja në sprova

Prej cilësive të thirrësit për tek Allahu është që të ngushëllojë të tjerët, të ndajë pikëllimin me ta dhe të lehtësojë fatkeqësitë e tyre. Kjo pa dyshim është prej moralit dhe sjelljes së mirë të besimtarëve dhe në këtë mënyrë arrihet te forcimi i lidhjeve. Shembulli më i mirë në këtë është Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Uthemani radijAllahu anhu ka treguar: “E kemi shoqëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem kur ka qenë në Medine dhe kur ka udhëtuar (jashtë saj). Edhe pse ka qenë i Dërguar i Allahut, duke pasur përgjegjësi të mëdha, ai vizitonte të sëmurët tanë, përcillte xhenazet, luftonte bashkë me neve dhe na ngushëllonte e na ndihmonte me pak dhe shumë, aq sa kishte.”

Ngushëllimi e lehtësimi i sprovës është disa llojesh:

»Përmes pasurisë.

»Përmes pozitës.

»Përmes anës fizike/forcës.

»Përmes këshillave.

»Përmes lutjeve.

»Përmes shprehjes së dhimbjes (bashkëndjenja).

Kjo varësisht nga besimi që ka njeriu është dhe ngushëllimi e lehtësimi i sprovave për njerëzit e tjerë. Sa më i dobët besimi aq më pak u ndihmon, apo ua lehtëson dhimbjet. Sa më i fortë besimi, edhe kjo gjë është më e fortë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu me besimin më të madh, andaj ndihma dhe lehtësimi ndaj të tjerëve ka qenë më i madhi dhe askush nuk krahasohet me të në këtë aspekt, mirëpo pasuesit e tij salAllahu alejhi ue selem do të arrijnë të kenë këtë moral ndaj të njerëzve varësisht se sa e pasojnë atë. Sa më shumë që e pasojnë atë, aq më shumë do të jenë në ndihmë ndaj tyre.

Islami është fe e cila thërret që njeriu të ndajë ndjenjat dhe emocionet me të tjerët, të ketë mëshirë e dhembshuri ndaj muslimanëve (kur ballafaqohen me sprova, vështirësi).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit