Këshilla bashkëshortore (2)

 

• Sa i përket burrit i cili e lëndon gruan e tij me fjalë, kjo është e ndaluar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, apo ta godasë, ta nënçmojë, ta turpërojë, t’i flasë fjalë të këqija për familjen etj. Lëndimi mes bashkëshortëve është prej gjërave që më së shumti ndikojnë për një jetë martesore të pakënaqur. Të dytë duhet të kenë kujdes. Duhet të tregohen të durueshëm, nëse ndodhë ndonjë veprim i papëlqyer prej njërit apo mosrespektim, duhet treguar durim dhe të mos ia kthejë tjetri me të njëjtën, por të bëhet kinse nuk e ka parë apo nuk e ka dëgjuar. Tipari më i lartë me të cilin mund të pajiset besimtari është ky, jo vetëm në raportet mes bashkëshortëve por edhe me të tjerët. Kështu e ruan veten dhe të tjerët, sepse nëse çdo detaji i kushton vëmendje, “pse e bëre këtë, pse nuk e bëre atë, pse e the atë e pse nuk e the këtë?”, do ta lodhë vetveten dhe të tjerët me ngarkesë shpirtërore dhe psikike. Nëse bashkëshortët bëjnë stërhollime në gabimet e vogla, pastaj është vështirë ta përballojnë këtë gjendje. Gabimet që vijnë prej gruas duhen fshirë/falur. Të gjithë kemi dëshirë të na falë Allahu, edhe ne duhet t’i falim të tjerët kur gabojnë në raport me ne. Raporti bashkëshortor duhet të ndërtohet mbi këto parime. Muslimani nuk duhet të ketë sjelle si të atyre që nuk kanë dije islame. Fatkeqësisht disa burra muslimanë vazhdojnë të jetojnë në xhahiljetin e kaluar, apo të kenë edukatën e marrë prej familjarëve të tyre joprakitkues të Islamit. Formën me të cilën është sjellë babai, axha, vëllai i madh, me gratë e tyre, duke mos pasur edukatë islame, ai kështu e praktikon me gruan e tij fetare. Ne kemi rregulla e dispozita të cilat na ka mësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu thotë: “Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” Nisa 20. Nëse ndodhë të ketë ndonjë veprim që nuk është i pëlqyeshëm tek ti, bëhu durimtar dhe sillu e jeto mirë me të, sepse pastaj Allahu do të të sjellë dobi të mëdha prej asaj martese. E padyshim besimtari ka dobi të mëdha prej martese, si: e ruan shikimin, ruan nderin, ruhet nga mëkatet, furnizohet me fëmijë etj. Martesa ka dobi të mëdha në këtë botë dhe tjetrën. E për shkak të këtyre dobive të mëdha, duhet të anashkalohen disa gjëra që ndodhin mes burrit e gruas e të mos i marrin si të mëdha.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit