Komunikimi dhe të shoqëruarit (mes bashkëshortëve)

 

Komunikimi dhe të shoqëruarit

Rëndësia e të komunikuarit mes vete

Të dy bashkëshortët duhet të mbajnë nivel të mirë të komunikimit mes vete. Ata duhet ta ndajnë gëzimin, brengat dhe dhembjet. Kjo e ruan lidhjen e tyre të dashurisë dhe mëshirës, e përmbush domethënien e “strehës” që duhet të krijohet mes tyre. Ishte praktikë e rregullt e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që gjatë natës t’i vizitonte të gjitha gratë e tij e të bisedonte me to para se të shkonte te tjetra, radha e së cilës ishte atë natë. Hadithi i gjatë i Ummu Zer (që do të vijojë në një kapitull tjetër të këtij libri) është shembull i mirë i bisedave të dobishme që kishte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me gratë e tij.

 

Rregullat e braktisjes

Ka disa raste kur është e lejuar të braktiset një musliman, si formë ndëshkimi. Do ta diskutojmë lejueshmërinë e braktisjes në Islam të shtratit të gruas arrogante, e gjithashtu do të shohim rastet kur Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i braktisi disa, ose të gjitha gratë e tij. Megjithatë, braktisja e muslimanit nuk duhet të bëhet përveç pasi të jenë provuar metodat më të lehta dhe pasi të jetë kuptuar se ky veprim po përdoret si trajtim i përkohshëm. Braktisja afatgjate sjell neveri dhe fortësi për zemrën,[1] andaj dhe është e ndaluar. Ebu Hurejra, Ibën Umeri, Ebu Ejubi dhe disa sahabë tjerë, radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka  thënë:

“Nuk i lejohet muslimanit ta braktisë vëllanë e tij më shumë se tre ditë.” [2]

 

Në shumë hadithe, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e theksoi seriozitetin e braktisjes së muslimanit, si: Hisham bin Amër radijAllahu anhu ka treguar se e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue selem duke thënë:

“Nuk i lejohet një muslimani ta braktisë një musliman tjetër më shumë se tre net. Me të vërtetë, të dy humbasin nga rruga e drejtë përderisa e vazhdojnë braktisjen. Sa i përket inicimit të pajtimit nga njëri, do fshinte mëkatin e tij pa dyshim. Dhe me të vërtetë, nëse vdesin në atë gjendje (të mospajtimit), kurrë nuk do të hyjnë në Xhennet. Nëse njëri nga ta i jep selam tjetrit, ndërsa ky refuzon të pranojë selamin dhe paqen e tij, një engjëll do t’ia kthejë të parit dhe një shejtan do t’ia kthejë tjetrit (për shkak të heshtjes së tij).” [3]

 

Të ndihmuarit ndaj njëri-tjetrit

Obligimi i ndihmës së ndërsjellë

Duke qenë të përbetuar, të dy bashkëshortët duhet të bëjnë çdo gjë që brenda mundësisë së tyre, për ta ndihmuar njëri-tjetrin dhe për ta bërë lidhjen e tyre të suksesshme. Kjo përfshin përkrahjen fizike, ekonomike dhe emocionale. Kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të lejuar, është e këshillueshme për tjetrin që ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një obligim, është e detyrueshme për tjetrin që ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, se Ai dënon ashpër.” [4]

 

Nuk ka ndihmë në mosbindje ndaj Allahut

Në anën tjetër, nga ajeti i mësipërm, arrijmë në përfundim se kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër mekruh (të papëlqyer), atëherë nuk pëlqehet që tjetri ta ndihmojë në këtë. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të ndaluar, është e ndaluar për tjetrin që ta ndihmojë atë në këtë vepër. Aliu radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Nuk lejohet bindja ndaj qenies njerëzore, nëse ajo përfshin mosbindje ndaj Allahut. Bindja bëhet vetëm në gjëra të mira.” [5]

 

Të ndihmuarit e njëri-tjetrit në adhurim dhe bindje ndaj Allahut

Individi nganjëherë dobësohet dhe e zvogëlon kryerjen e disa veprave të adhurimit. Ndihma dhe përkrahja e mirë, do t’ia shtonte atij vetëbesimin dhe vendosmërinë. Dhe kush është më i përshtatshëm për të dhënë këtë përkrahje sesa bashkëshorti/ja?! Një shembull i mirë për këtë është dhënë nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, sa i përket namazit të natës. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë atë burrë që zgjohet natën dhe falet dhe e zgjon gruan e tij për t’u falur, e nëse ajo kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e saj me ujë. Dhe Allahu e mëshiroftë atë grua që zgjohet natën dhe falet dhe e zgjon burrin e saj për t’u falur, e nëse ai kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e tij me ujë.” [6]

 

Në këtë hadith, duhet vënë re mënyrën e dashur dhe të këndshme për ta zgjuar bashkëshortin. Në mes të gjumit, një person pa dyshim se do të shqetësohej nëse dikush papritur e tund ose i hedh shumë ujë të ftohtë, gjë që do ta bënte atë të mos dëshirojë bashkëpunim me personin që ia ka shkaktuar këtë shqetësim. Në anën tjetër, një qasje e mirë dhe e dashur, do të rezultojë në bashkëpunim të mirë.

 

 

[1] Siç është thënia: “Larg syrit, larg mendjes.”

[2] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[3] Ahmedi, Buhariu në “El-Edeb el-Mufrad” dhe të tjerë. “Irvaul Galil” nr. 2029.

[4] Surja El-Maide, ajeti 2.

[5] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Një hadith i ngjashëm transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë nga Imran Bin Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. “Sahihah” nr. 179, 180.

[6] Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 3494.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit