Ramazani muaji i ndryshimit

Ramazani muaji i ndryshimit

Të gjithë njerëzit e mençur në mesin e muslimanëve janë të pajtimit se Ramazani është një muaj i ndryshimit, i reformimit dhe i ripërtëritjes shpirtërore. Ai i ndryshon dhe i gdhend shpirtrat e njerëzve, i ripërtëritë vendosmëritë dhe ambiciet e tyre, bën ndryshim jetësor dhe qenësor në jetën e besimtarit. Kjo sepse Ramazani ndryshon rutinën ditore të njeriut, ia pastron shpirtin, dhe kështu lëvizjet e tij ndryshojnë, gjymtyrët e tij qetësohen, veprat e mira të tij shtohen.

Ramazani (tek ata që ndryshojnë gjatë tij) nuk mbetet vetëm për të shtuar veprat e mira dhe për t’u larguar nga mëkatet, atë e imagjinojnë si një rast të volitshëm për ndryshim të vetvetes, për korrigjim dhe për ngritje shpirtërore, nga i cili del me një anë shpirtërore të lartë e cila pastaj ia trason një metodologji madhështore se si duhet të ecë në jetën e tij e përmes saj pastaj e ruan vetveten, veprat e tij dhe bëhet i qëndrueshëm në rrugën e Allahut. Ramazanin e shfrytëzon si një portë madhështore për pendim.

Megjithëkëtë që u tha, duhet të ketë një iniciativë të brendshme, një vendosmëri, duhet ta zhveshë veten nga çdo gjë që e dëmton atë, si: nga ego, dëshira, teket etj. Kjo në mënyrë që ndryshimi të jetë i vërtetë dhe i vlefshëm dhe po ashtu që të realizojë ajetin: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete” Rad 11.

Shumë njerëz ndryshojnë gjatë Ramazanit dhe përmirësohen, porse këtë ndryshim nuk e ruajnë pas Ramazanit. Duhet të ndryshojmë gjatë Ramazanit dhe pastaj ta ruajmë këtë ndryshim, këtë dobi të madhe që e kemi përfituar.

Disa mënyra me anë të të cilave ruhet ky ndryshim: ripërtëritja e nijetit të sinqertë, luftimi i vetes, ndryshimi i shprehive të këqija, lutja tek Allahu për qëndrueshmëri etj.

Ramazani është një shkollë shpirtërore, një institut i ndërtimit dhe ndryshimit të shoqërisë.

Qysh në fillim të Ramazanit në shpirtrat e njerëzve buron një kënaqësi e lumturi shumë e madhe. Allahu hedh në zemrat e njerëzve dashuri e respektim për këtë muaj, nxitim për në vepra, largim nga mëkatet, madje vërejmë se edhe mëkatarët e mëdhenj fshehin disa prej mëkateve të tyre që i kanë bërë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit