Ruajtja e familjes

Ruajtja e familjes

E diskutuam më herët në këtë kapitull, se të dy bashkëshortët kanë përgjegjësi të madhe brenda familjes. Pjesë e kësaj përgjegjësie është mbrojtja dhe ruajtja e familjes nga dëmtimi dhe shkatërrimi. Kjo arrihet vetëm përmes udhëheqjes së familjes drejt mësimeve të mira të Islamit dhe largimit nga të këqijat e shejtanit dhe pasuesve të tij. Në këtë mënyrë, të dy bashkëshortët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin në udhëzimin e fëmijëve të tyre drejt Xhennetit dhe larg zjarrit. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” [1]

Në komentim të këtij ajeti, transmetohet se Aliu radijAllahu anhu ka thënë:

“Mësojuani atyre sjelljet e mira dhe edukojini ata.” [2]

Dhe Ibën Abasi radijAllahu anhu ka thënë:

“Veproni në bindje ndaj Allahut, evitoni mosbindjen ndaj Allahut dhe urdhërojini familjet tuaja për të vepruar në përkujtim të Allahut. Atëherë, Allahu do t’iu mbrojë nga zjarri.” [3]

 

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja

Të dy bashkëshortët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, fillimisht mes njëri tjetrit, e pastaj edhe njerëzit e tjerë. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhennetin e Adnit. Por, kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.”  [4]

 

Plotësimi i dëshirës së njëri-tjetrit

Një nga qëllimet kryesore të martesës është ruajtja e dëlirësisë. Kjo zakonisht lidhet më shumë me burrin sesa me gruan. Mirëpo, pa dyshim se ka të bëjë me gruan gjithashtu, meqë është obligimi i burrit të saj që ta kënaqë atë sa më shumë që ka mundësi.

Andaj, është obligim për secilin nga dy bashkëshortët që ta përmbushin detyrën martesore ndaj njëri-tjetrit. Ata duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur, përderisa ato gjëra janë të lejuara në Islam, për ta mbrojtur njëri-tjetrin nga joshjet e shejtanit. Më shumë rreth kësaj, do të diskutohet në dy kapitujt e radhës.

[1] Surja Et-Tahrim, ajeti 6.

[2] “Tefsir Ibën Kethir”.

[3] “Tefsir Ibën Kethir”.

[4] Surja Et-Teube, ajetet 71-72.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit