Sjelljet e mira (mes bashkëshortëve)

Sjelljet e mira

Cilësia e shkëlqyer e sjelljes së mirë

Pjesë e përgjegjësisë së madhe brenda shtëpisë për të dy palët, burrat dhe gratë, është që të tregojnë sjellje të mira dhe të veprojnë me to. Sjelljet e mira janë karakteristikë e veçantë në fenë Islame. Me pak fjalë, ato janë shkak i misionit të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë jam dërguar (nga Allahu) për të kompletuar sjelljet e mira.”[1]

Vërejmë këtu se “sjellje të mira” në Islam nuk është vetëm sinqeriteti, butësia, zemërgjerësia dhe veçori tjera, të cilat zakonisht njihen si përfaqësuese të sjelljeve të mira. Më saktë, “sjelljet e mira” përfshijnë: sjelljet e mira me Allahun subhanehu ue teala, që shfaqen me besim të vërtetë në Të dhe bindje ndaj Tij, sjelljet e mira me të Dërguarin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, që manifestohen me pasimin e vërtetë të tij dhe sjelljet e mira me njerëzit e tjerë.

Sjelljet e mira më së miri u demonstruan nga i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, të cilin Allahu subhanehu ue teala e përshkroi me këto fjalë: Me të vërtetë ti posedon një moral të lartë.” [2]

 

Njerëzit më të mirë pas të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, janë ata me sjelljet më të mira. Abdullah Bin Amër radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Padyshim, më të mirët prej jush janë ata me sjelljet më të mira.”[3]

Abdullah Bin Amër radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Më të mirët nga besimtarët janë ata me sjelljet më të mira.” [4]

 

Muslimani duhet të shfaqë sjellje të mira në të gjitha punët e tij. Kjo do t’i siguronte atij pozitë më të lartë ndër muslimanët e tjerë. Aisha radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pa dyshim, besimtari për shkak të sjelljeve të tij të mira, e arrin (në Xhennet) shkallën e atij që agjëron dhe ngrihet (për namaz të natës).”[5] 

 

Sjelljet e mira e bëjnë muslimanin meritor për dashurinë e të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe afërsinë me të në Xhennet. Xhabir Bin Abdilahi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pa dyshim, nga ata që janë më të dashurit tek unë dhe që do të ulen më së afërti me mua në Ditën e Ringjalljes, janë ata me sjelljet më të mira.”[6]

 

Dhe Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Gjërat që kryesisht njerëzit i bëjnë të hynë në Xhennet, janë përulja ndaj Allahut dhe sjelljet e mira. Dhe ato që kryesisht njerëzit i bëjnë të hynë në Zjarr, janë gjuha dhe pjesët intime.” [7]

 

Sjelljet e mira nuk duhet të jenë të kufizuara kryesisht ndaj njerëzve të largët. Më saktë, ato duhet të plotësohen më së miri me të afërmit. Me rëndësi është ajo se të dy bashkëshortët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrën më të mirë të mirësjelljes. Zakonisht, karakteri i vërtetë i njeriut shfaqet brenda familjes, sepse aty njeriu është i lirë nga formaliteti dhe nxjerrja në pah e sjelljeve të mira, siç mund të bëjë jashtë në publik me njerëzit e tjerë. Si rrjedhim, veprimi i sjelljeve të mira është një e drejtë dhe detyrë e përbashkët mes dy bashkëshortëve; theksohet nga afërsia e tyre ekstreme dhe është e nevojshme për mirëqenien e lidhjes. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Besimtarët me besimin më të plotë, janë ata me sjelljet më të mira. Dhe më të mirët nga ju janë ata që janë më të mirët me gratë e tyre.”[8]

 

Andaj, në sjelljet mes bashkëshortëve, duhet të tregohet sjellje e mira në çdo aspekt. Diskutimi i hollësishëm rreth këtij konteksti do të ishte jashtë temës së këtij libri. Sidoqoftë, në nëntitujt në vijim, do të flasim për disa nga tiparet më të rëndësishëm të karakterit, të cilat duhet të vihen re në sjelljet brenda njësisë familjare.

 

Sinqeriteti

Allahu subhanehu ue teala lavdëron të sinqertit në disa vende në Librin e Tij, Kuranin, dhe sinqeritetin e konsideron cilësi të besimtarëve.[9] Ai gjithashtu i dënon gënjeshtarët dhe gënjeshtrën e konsideron si cilësi të hipokritëve.[10] Po ashtu, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka lavdëruar sinqeritetin dhe ka treguar se sinqeriteti dërgon në Xhennet, e ka dënuar gënjeshtrën dhe ka treguar se ajo dërgon në zjarr. Abdullah Bin Mesudi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Vërtetë, sinqeriteti shpie në ndershmëri (drejtësi) dhe ndershmëria (drejtësia) shpie në Xhennet. Njeriu do të vazhdojë ta praktikojë sinqeritetin, derisa të shënohet te Allahu si sidik (më i sinqerti). Pa dyshim, gënjeshtra shpie në imoralitet dhe imoraliteti shpie në zjarr. Njeriu do ta praktikojë gënjeshtrën, derisa të shënohet te Allahu si gënjeshtar.”[11]

Sinqeriteti sjell besim dhe siguri mes bashkëshortëve, që janë elemente të nevojshëm për sukses në çdo bashkëpjesëmarrje, duke mos përjashtuar këtu edhe martesën. Gënjeshtra dhe mashtrimi, në anën tjetër, përbëjnë rrugë të pasigurt dhe të dyshimtë, që mund të shpien deri te shkatërrimi i shpejtë. Disa njerëz kanë idenë e gabuar se është e lejuar të gënjehet bashkëshorti pa kufizime. Kjo ide e gabuar rrjedh nga keqkuptimi i haditheve të mëposhtme.

Ummu Kulthum Bint Ukbe[12] radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Nuk e konsideroj gënjeshtër nga ana atij i cili vë paqe mes njerëzve (të cilët nuk pajtohen) dhe shqipton diçka (të pavërtetë) për hir të pajtimit, nga ai i cili i thotë armikut diçka të pavërtetë gjatë luftës dhe atij i cili flet me gruan e tij, ose gruaja flet me burrin e saj.”[13]

 

Esma Bint Jezidi radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Gënjeshtra nuk është gjë e duhur, pos në tri raste: kur burri flet me gruan e tij për ta kënaqur atë, të gënjyerit (e armikut) në luftë dhe për të pajtuar njerëzit (të cilët nuk janë të pajtuar).” [14]

Është e qartë nga dy hadithet e mësipërme, se gënjeshtra mes bashkëshortëve është e kufizuar në biseda të këndshme. Kjo mund të jetë në situata të tilla, si: burri t’i thotë gruas së tij se ajo ka gatuar ushqimin më të mirë ose ka fustanin më të bukur, ose gruaja t’i thotë burrit të saj se dhurata që i ka dhuruar është më e dashura për të, ose të treguarit njëri-tjetrit ngjarje zbavitëse imagjinare (brenda së lejuarës), e kështu me radhë. Edhe në këto raste, është më mirë që gënjeshtra të zëvendësohet me thënie të cilat kanë kuptime të dyfishta, ku të paktën njëra nga të cilat është e vërtetë.

Modestia

Modestia është karakteristikë e nevojshme në mesin e muslimanëve. Allahu e urdhëron madje edhe të Dërguarin e Tij sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që të tregojë modesti me besimtarët. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” [15]

Ijad Bin Himari radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Pa dyshim, Allahu më ka shpallur se ju duhet të tregoni modesti, asnjëri nga ju të mos lavdërohet mbi dikë tjetër dhe asnjëri të mos mëkatojë ndaj dikujt tjetër.” [16]

Kjo duhet kuptuar mirë nga bashkëshortët. Ata duhet të tregojnë modesti ndaj njëri-tjetrit dhe të evitojnë mburrjen me pasurinë, statusin social, inteligjencën, bukurinë, të afërmit, paraardhësit, ose ndonjë mirësi tjetër që Allahu ua ka dhënë. Të qenët mburracak, posaçërisht gjatë fjalosjeve, është shenjë e injorancës dhe papjekurisë, gjë të cilën duhet ta urrejnë.

 

Mëshira dhe butësia

Të dy bashkëshortët duhet të tregojnë mëshirë e dhembshuri të madhe ndaj njëri-tjetrit. Ata gjithmonë duhet të jenë të gatshëm të mos vënë sy mbi gjithçka, duhet të falin dhe të ndihmojnë në këshillimin dhe të udhëzuarit e njëri-tjetrin. Siç u cek më herët në këtë libër, dhembshuria është një fryt i rëndësishëm i martesës dhe kurrë nuk duhet lejuar që ajo të humbasë. Njeriu i mëshirshëm e meriton mëshirën e Allahut. Abdullah Bin Amër radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Të mëshirshmëve u është garantuar mëshirë nga më i Mëshirshmi subhanehu ue teala. Tregohuni të mëshirshëm ndaj atyre që janë në tokë, Ai që është mbi qiej (Allahu) do të jetë i mëshirshëm ndaj jush.” [17]

Allahu, më i Dashuri, më i Miri, e do butësinë dhe shpërblen për të bujarisht. Sa herë që butësia zbatohet në një situatë, ajo e përmirëson dhe e ndihmon atë, për dallim nga ashpërsia. Aisha radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i kishte thënë asaj:

“O Aisha! Pa dyshim, Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo çështje. Ai përmes butësisë, dhuron atë që nuk do e jepte përmes ashpërsinë apo diçkaje tjetër. O Aisha! Tregohu e devotshme ndaj Allahut dhe e butë, sepse pa dyshim, kur është butësia në një gjë, e zbukuron atë dhe kur nuk është në ndonjë gjë, e njollos atë.” [18]

 

Pa dyshim, një person pa butësi dhe mëshirë, i bën dëm vetes para se t’i bëjë dëm dikujt tjetër. Ky person ia mohon vetes mëshirën dhe faljen e Allahut. Xherir Bin Abdilahi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Atij që i është mohuar butësia, vërtet që i janë mohuar të gjitha format e së mirës.”[19]

 

Ebu Hurejra, Ebu Seid el Hudriu dhe Xherir Bin Abdilahi, radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ai i cili nuk shfaq mëshirë, mëshira nuk do t’i shfaqet atij (nga Allahu).” [20]

 

Është obligim për të dy bashkëshortët, që të ushqejnë butësi dhe mëshirë në familjen e tyre. Ky do ishte ilaçi i parë që do ta përdorinin kur shfaqen probleme dhe dallime mes tyre. Kjo jo vetëm që do ndihmonte në zgjidhjen e problemeve, por gjithashtu do t’u dhuronte dashurinë dhe mëshirën e Allahut, siç ceket në hadithet e mësipërme.

 

Falja

Muslimani nuk duhet të ketë qëndrim hakmarrës dhe atë të “bërjes barazi”. Kjo do të shkaktonte urrejtje mes muslimanëve dhe do t’i largonte ndjenjat e dashurisë dhe sigurisë. Muslimani gjithmonë duhet të jetë i gatshëm të falë, posaçërisht kur është fjala në bashkëshortësi dhe ndaj të afërmve. Të shfaqurit e faljes, e bën njeriun ta meritojë faljen e Allahut. Në një transmetim të hadithit të mësipërm nga Xherir Bin Abdilahi radijAllahu anhu, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ai që nuk tregon mëshirë, mëshira nuk do t’i tregohet atij (nga Allahu). Dhe ai që nuk fal, nuk do të falet.” [21]

 

Kemi një shembull të shkëlqyer tek i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili asnjëherë nuk mori hak për veten e tij. Aisha radijAllahu anha ka treguar:

“Kurrë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të marrë hak nëse i bëhej e padrejtë, përveç në rastet kur ndonjë ndalesë e Allahut shkelej. Kur ndodhte kjo, ai bëhej njeriu më i zemëruar. Gjithashtu, kur i jepej mundësia të zgjidhte mes dy çështjeve, ai zgjidhte më të lehtën prej tyre, përveç nëse përmbante mëkat.” [22]

 

Shmangja nga padrejtësia

Të dy bashkëshortët duhet të jenë të barabartë dhe të drejtë në raportet me njëri-tjetrin. Ata duhet ta evitojnë padrejtësinë ndaj njëri-tjetrit, në çdo mënyrë. Ata nuk duhet të keqpërdorin të drejtat e tyre, ose të abuzojnë njëri-tjetrin përmes cilësive të tyre dalluese. Shtypja është ndalur nga Allahu subhanehu ue teala, madje edhe mbi Veten e Tij. Ebu Dherr radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Allahu subhanehu ue teala thotë: “O robërit e mi! Me të vërtetë e kam ndaluar padrejtësinë mbi Veten time dhe e kam bërë të ndaluar mbi ju, që të mos e shtypni njëri-tjetrin.” [23]

 

Shtypja është mëkat i madh që meriton Zemërimin e Allahut dhe sjell Dënimin nga Ai në të dy jetët. Xhabir Bin Abdilahi dhe Abdullah Bin Omeri, radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Largojuni padrejtësisë, sepse ajo do jetë errësirë e thellë në Ditën e Gjykimit.”[24]

 

Në një transmetim tjetër Xhabir bin Abdilahi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Largojuni padrejtësisë sepse ajo do jetë errësirë e thellë në Ditën e Gjykimit dhe largojuni koprracisë sepse ajo i ka shkatërruar ata që kanë qenë para jush.”[25]

 

Të mos lejohet që ndjenja e epërsisë dhe zotërimit të hyjë në zemrën e ndonjërit prej bashkëshortëve, e si pasojë të tregohet i padrejtë ndaj tjetrit, duke menduar se kështu ka arritur deri te një fitore e merituar. Të dy të mendojnë rreth haditheve të mësipërme, të ruhen nga ndonjë mallkim i fshehtë që mund të rrjedhë nga zemra e rënduar e atij që i është bërë padrejtësi. Enes Bin Maliki radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ruaju prej lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, edhe nëse ai është jobesimtar, sepse  mes saj dhe Allahut nuk ka pengesë.” [26]

 

Padrejtësia nuk harrohet kurrë, nuk shpëton pa u dënuar. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kushdo që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij në nder dhe pasuri, duhet t’i kërkojë falje sot, para se t’i kthehet ajo atij në një ditë ku nuk do të ketë dinar e as dërhem. Nëse ai ka vepra të mira, disa nga ato do të merren në sasinë e padrejtësisë së tij e nëse ai nuk ka vepra të mira, disa nga mëkatet e shokut të tij (që i është i bërë padrejtësi) do të merren dhe ngarkohen mbi të.” [27]

 

Të larguarit nga të folurit e ndryrë

Lidhja martesore duhet të ngelet e pastër nga gjërat e turpshme e të pakulturuara. Ajo duhet të jetë shembullore, fillimisht në mes të bashkëshortëve, e pastaj edhe para fëmijëve, duke thënë fjalë që e kënaqin Allahun, të Dërguarin e Tij salAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe besimtarët. Aisha radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e këshilloi atë:

“O Aishe, mos u bëj e pahijshme! Me të vërtetë Allahu nuk e do njeriun e ndyrë që pëlqen të ndytën.” [28]

 

I këtillë ishte i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, siç e përshkroi Aisha radijAllahu anha:

“I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ishte i ndytë në fjalë, e as nuk e pëlqente atë, e as nuk ngrinte zërin në tregje. Ai nuk dënonte për asnjë dëm (personal), mirëpo falte.” [29]

 

Të shmangurit e diskutimeve dhe grindjeve

Diskutimet dhe grindjet e shpeshta duhet të evitohen seriozisht, sepse janë rrugë e sigurt drejt prishjes së lidhjes mes çiftit të martuar. Secili bashkëshort duhet ta ketë në mendje se nuk është gjithmonë e domosdoshme që të gjejë përkrahje për mendimin e tij, apo saj, e të jetë gjithmonë fitues në çdo diskutim. Allahu ka premtuar një shtëpi në Xhennet për ata që u shmangen polemikave (të panevojshme), edhe nëse kanë të drejtë. Ebu Umame radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Garantoj shtëpi në periferi të Xhennetit për atë që braktisë diskutimet edhe nëse ai ka të drejtë, një shtëpi në mes të Xhennetit për atë që e braktisë gënjeshtrën edhe nëse është duke bërë shaka dhe një shtëpi në vendin më të lartë në Xhennet për atë që ka sjellje të mira.” [30]

 

Në anën tjetër, Allahu i urren kokëfortët dhe njerëzit e grindjeve. Aisha radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Njeriu më i urryer te Allahu është ai që grindet në mënyrë këmbëngulëse.”[31]

 

Zgjidhja e problemeve në mënyrën miqësore

Gjithmonë ka mundësi për keqkuptime ose mospajtime mes bashkëshortëve. Disa nga këto dallime, mund të shtyjnë njërin t’ia kthejë shpinën tjetrit dhe të kërkojë zgjidhje të nxituar, e cila mund ta rrezikojë martesën. Mirëpo, është e preferuar për ta që fillimisht të përpiqen të pajtohen, gjë që Allahu subhanehu ue teala e bëri si rrugën më të mirë:

“Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë. Njerëzit janë të prirë nga koprracia. Por, në qoftë se ju silleni mirë dhe ruheni prej të këqijave, Allahu e di mirë çfarë veproni.”[32]

[1] Ibën Sadi, Hakimi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 2349 dhe “Sahihah” nr. 45.

[2] Surja El-Kalem. Ajeti 4.

[3] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[4] Ibën Maxhe dhe Hakimi. “Sahihul Xhami” nr. 1128 dhe “Sahihah” nr. 1374.

[5] Ebu Davudi dhe Ibën Hibani. “Sahihul Xhami” nr. 1932.

[6] Tirmidhiu. “Sahihul Xhami” nr. 2201 dhe “Sahihah” nr. 7691.

[7] Tirmidhiu, Ahmedi dhe Ibën Maxhe. “Sahihah” nr. 977.

[8] Tirmidhiu dhe Ibën Hibani. “Sahihul Xhami” nr. 1232 dhe “Sahihah” nr. 284.

[9] Shembull: Allahu subhanehu ue teala thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” Surja Et-Teube, ajeti 119.

[10] Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” Surja El-Munafikun, ajeti 1.

[11] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[12] Gruaja e Abdurrahman Bin Auf.

[13] Ebu Davudi. “Sahihah” nr. 545 dhe “Sahihul Xhami” nr. 7170.

[14] Tirmidhiu dhe të tjerë. “Sahihah” nr. 545 dhe “Sahihul Xhami” nr. 7723.

[15] Surja Esh-Shuara, ajeti 215.

[16] Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerë.

[17] Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 3522 dhe “Sahihah” nr. 925.

[18] Ky është transmetim i kombinuar, transmetuar nga Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 7920, 7921 dhe 7927.

[19] Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

[20] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[21] Ahmedi dhe Teberani në “El-Kebir”. “Sahihul Xhami” nr. 6599 dhe 6600.

[22] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[23] Muslimi.

[24] Muslimi dhe të tjerë.

[25] Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

[26] Ahmedi, Ebu Ja’la dhe të tjerë. “Sahihah” nr. 767 dhe “Sahihul Xhami” nr. 119.

[27] Buhariu dhe Ahmedi.

[28] Ky është transmetim i kombinuar i transmetuar nga Muslimi, Buhariu (në Edeb el Mufrad) dhe Ebu Davudi. “Sahihul Xhami” nr. 7933, 7922 dhe “Iruaul Galil” nr. 2133.

[29] Tirmidhiu, Ahmedi dhe të tjerë. “Muhtesar Shemail” f. 182.

[30] Ebu Davudi dhe ed-Dija ul-Makdisi. “Sahihul Xhami” nr. 1464 dhe “Sahihah” nr. 273.

[31] Buhariu dhe Muslimi.

[32] Surja En-Nisa, ajeti 128.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit