Emrat الخَالِق, البَارِئُ, المُصَوِّر – El khaalik, el Beeri’u, El Musaw-wir
Allahu, këta tre emra i ka bashkuar[1] në ajetin:
هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ ۖ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ
“Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur…” Hashr 24.
Allahu veçohet me paracaktimin ndaj çdo gjëje që ekziston. Me urtësinë e Tij Ai krijoi të gjitha krijesat. Dhe me përpikërinë e Tij Ai u dha formë dhe e përsosi krijimin e të gjitha qenieve të gjalla. Allahu është Ai i Cili krijoi, shpiku dhe u dha ekzistencë atyre në kohën e përshtatshme për to, pra paracaktoi krijimin e tyre dhe bëri formën e tyre në mënyrën më të përsosur e mënyrën më të përkryer, si dhe i orientoi drejt interesave të tyre. Ai çdo gjëje ia ka dhënë krijimin që i përshtatet. Pastaj çdo krijese ia rrëfeu rrugën drejt qëllimit për të cilën është krijuar.
Bashkimi i këtyre tre emrave na jep këto kuptime:
– الخَالِق – Krijuesi – El Khaalik – është Ai që paracaktoi të gjitha gjërat sipas asaj që kërkon urtësia e Tij.
– البَارِئُ – Zanafillësi – El Beeri’u – është Ai që u dha ekzistencë pas inekzistencës së tyre.
– المُصَوِّر – El Musawwir – është Ai që u dha formë e trajtë të gjitha krijesave të Tij.
Ibn Kajim ka thënë: “Emrat المُصَوِّرُ البَارِئُ janë shtjellim i hollësishëm i emrit الخَالِقُ, sepse Allahu kur dëshiron të krijojë diçka, së pari e paracakton atë sipas Dijes dhe Urtësisë së Tij, pas kësaj i jep ekzistencë dhe e krijon në pajtueshmëri të plotë me atë që ka paracaktuar, pastaj i jep formë sipas vullnetit të Tij.” Interpretimi i fjalës khalk – krijim me paracaktimin përshtatet vetëm atëherë kur këta emra përmenden me këtë renditje siç kanë ardhur në ajetin kuranor, që e përmendëm.
[1] Kur Allahu i bën bashkë këta tre emra, atëherë emri الخَالِق – el Khaalik ka një tjetër shpjegim nga ai që shpjeguam në mësimin paraprak.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.