Emrat e Allahut: Err Rrezaak dhe err Rraazik

Emrat الرَّزَّاق, الرَّازِق – Err Rrezzaak dhe Err Rraazik

Emri الرَّزَّاق – Err Rrez-zaak – Gjithëfurnizuesi, është përmendur në Kuran vetëm një herë:

إِنَّ اللَّهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ

Vërtet, Allahu është Gjithëfurnizuesi, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” Dharijat 58.

Allahu është الرَّزَّاق – err Rrezzaak – Gjithëfurnizuesi, Shumëfurnizuesi, Ai që ka marrë përsipër furnizimin e robërve të Tij dhe i Cili çdo shpirti i jep furnizimin e ushqimin që të mbahet në jetë. Këtë gjë e përmend në shumë ajete kuranore, prej tyre: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij.” Hud 6. “Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve!” Ankebut 60.

Kurse, emri الرَّازِق – Err Rraazik – Furnizuesi, është përmendur në formën e shumësit në disa vende në Kuran, prej tyre:

“وَاللَّهُ خَيْرُ الرَّازِقِينَAllahu është më i miri i furnizuesve.” Xhuma 11.

Gjithashtu është përmendur dhe në sunetin profetik në këtë hadith:

إنَّ الله هو الخالق القابض الباسط الرازق

Vërtet Allahu është Krijuesi, Ai që ia zgjeron furnizimin dikujt dhe Ai që ia ngushton furnizimin dikujt, Furnizuesi…” Ahmedi dhe të tjerë.

Furnizimi që Allahu ua bën krijesave është dy llojesh:

  1. Furnizim i përgjithshëm, që përshinë të gjitha krijesat, si të devotshmit ashtu dhe të prishurit, besimtarët dhe jobesimtarët, të parët dhe të fundit etj. Ky është furnizim që ka të bëjë me trupat, siç lexuam ajetin: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij.” Hud 6.
  2. Furnizimi i veçantë, që është furnizimi dhe të ushqyerit e zemrave me dije, me besim, me furnizim të lejuar. Ky furnizim është vetëm për besimtarët; është në varësi të pozitave të kanë tek Allahu dhe në varësi të mëshirës e urtësisë së Tij ndaj tyre (dikush më shumë e dikush më pak). Allahu, besimtarëve, furnizimin, mirësitë e dhuntitë që ua jep, do t’ua plotësojë në Ditën e Gjykimit, kur t’i fusë në xhenetin e kënaqësive. Allahu thotë: “Atë që beson Allahun dhe bën vepra të mira, Ai do ta shpjerë në kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përgjithmonë. Pa dyshim, Allahu ka përgatitur për atë risk të mrekullueshëm.” Talak 11.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit