Emrat e Allahut: El Ehad dhe el Waahid

Emrat الأَحَد, الوَاحِد – El Ehad dhe el Waahid

Emri الأَحَد – El Ehad – Një e i Vetmi, është përmendur një herë në Kuran.

“قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌThuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!” Ikhlas 1.

Ndërsa, emri الوَاحِد – el Waahid – I Vetmi, është përmendur në disa vende në Kuran dhe në nivele e pozita të shumta, prej tyre: në kontekstin e pohimit/vërtetimit të teuhidit (njëshmërisë së Allahut) dhe asgjësimit të shirkut (idhujtarisë) dhe të tendidit (barazimit të të tjerëve me Allahun). Allahu thotë:

“وَإِلَٰهُكُمْ إِلَٰهٌ وَاحِدٌ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الرَّحْمَٰنُ الرَّحِيمُ – Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka të adhuruar tjetër që meriton adhurimin përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” Bekare 163.

“وَقَالَ اللَّهُ لَا تَتَّخِذُوا إِلَٰهَيْنِ اثْنَيْنِ ۖ إِنَّمَا هُوَ إِلَٰهٌ وَاحِدٌ ۖ فَإِيَّايَ فَارْهَبُونِ – Allahu ka thënë: “Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është Adhuruari i Vetëm, prandaj frikësohuni vetëm prej Meje!” Nahl 51.

“أَأَرْبَابٌ مُتَفَرِّقُونَ خَيْرٌ أَمِ اللَّهُ الْوَاحِدُ الْقَهَّارُ  – A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari?” Jufus 39.

   Këta dy emra tregojnë për dy cilësi të Allahut: Ai është Një dhe i Vetëm. Ai është Një dhe Unik në Qenien e Tij, asgjë dhe askush nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Një dhe Unik në cilësitë e Tij, askush dhe asgjë nuk i përngjason Atij në to. Ai është Një dhe Unik në veprat e Tij, Ai nuk ka ortak e ndihmës në këtë. Allahu është Unik në njësimin e adhurimin ndaj Tij, nuk ka të barabartë në dashuri, madhërim, përulje dhe nënshtrim ndaj Tij. Allahu është Një e Unik, cilësitë e të Cilit janë të madhëruara aq shumë saqë është i veçuar me përsosmëri në çdo aspekt. Të gjitha krijesat janë të pafuqishme të përvetësojnë diçka nga cilësitë e Tij, e aq më pak të barazohen e t’i shëmbëllejnë Atij në ndonjërën prej tyre.

Këta dy emra tregojnë për veçimin e Allahut, me të gjitha përsosmëritë, prandaj askush ato nuk i ndan me Atë. Gjithashtu këta dy emra obligojnë njerëzit që ta njësojnë Allahun me besim, me fjalë e vepra, duke e njohur dhe duke e pranuar përsosmërinë absolute të Tij dhe veçimin e Tij me njëshmëri, si dhe duke e veçuar me të gjitha llojet e adhurimeve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit