Emrat e Allahut: El Kawijj dhe el Metiin

Emrat القَوِيّ, المَتِين – El Kawijj dhe el Metiin

Emri القَوِيّ – El Kawijj – I Fuqishmi, është përmendur në shumë vende në Kuran, prej tyre:

“وَهُوَ ٱلْقَوِىُّ ٱلْعَزِيزُ – Ai është i fuqishëm dhe i Pushtetshëm.” Shura 19.

Kurse, emri المَتِين – El Metiin – Fuqimadhi, i Plotfuqishmi, është përmendur vetëm një herë në Kuran:

“إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلرَّزَّاقُ ذُو ٱلْقُوَّةِ ٱلْمَتِينُVërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, Zotëruesi i fuqisë, i Plotfuqishmi.” Dharijat 58.

   Kuptimi i emrit القَوِيّ: Ai të Cilin asgjë në qiell e tokë nuk ka mundësi ta bëjë të paaftë, apo t’i ikë Atij, askush nuk ka mundësi të ngadhënjejë mbi Allahun, askush nuk ka mundësi të kthejë mbrapshtë atë që Ai ka vendosur të ndodhë, Urdhri i Tij patjetër do të ekzekutohet, vendimi i Tij patjetër do shkojë në vend. E gjithë forca e fuqia i takon Allahut, të vetmit, Ai e lartëson dhe e ngritë atë që dëshiron, e ulë dhe e poshtëron atë që dëshiron, e ndihmon atë që dëshiron dhe e lë pa ndihmë atë që Ai dëshiron, askush nuk ka mundësi të jetë i ndihmuar veçse me ndihmën e Tij, askush nuk mund të jetë i lartësuar përveç nëse Ai e lartëson, “Nëse ju ndihmon Allahu, s’ka kush t’ju mposhtë e nëse ju lë pa ndihmën e Tij, kush është ai që do t’ju ndihmojë, përveç Tij?! Pra, vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët.” Ali Imran 160.

Kur besimtari beson në këtë emër të Allahut në këtë mënyrë, kjo do të sjellë gjurmë të pashlyeshme në zemrën dhe besimin e tij, kështu që, do t’i përulet Atij, do t’i nënshtrohet pozitës madhështore të Tij, do ta ketë frikë dhe do të kërkojë mbrojtje tek Ai, ngase Ai është i Fuqishmi, andaj do t’i mbështetet në mënyrën më të bukur vetëm Allahut dhe të gjitha çështjet do t’ia dorëzojë Atij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit