Emrat e Allahut: El Hakk dhe El Mubiin

Emrat الحَقّ, المُبِين – El Hakk dhe El Mubiin

Emri الحَقّ – El Hakk – I Vërteti, përmendet në Kuran në dhjetë ajete, prej tyre:

  • në suren Junus: “فَذَٰلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمُ الْحَقُّ – Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë.” Ajeti 32.
  • në suren Muminun: “فَتَعَالَى اللَّهُ الْمَلِكُ الْحَقُّI lartësuar është Allahu, Sundimtari, i Vërteti!” Ajeti 116.

   Kuptimi i emrit الحَقّ: Ai për të Cilin nuk ka dyshim dhe mëdyshje, as në Qenien e Tij, as në emrat e cilësitë e Tij, as në uluhijen e Tij, Ai është i Adhuruari i Vetëm me të drejtë. Allahu është i Vërteti. Emrat dhe cilësitë e Tij janë të vërteta, Fjalët dhe veprat e Tij janë të vërteta, feja dhe ligjet e Tij janë të vërteta, lajmet që na ka treguar janë të vërteta, premtimi i Tij është i vërtetë dhe takimi me Të është i vërtetë.

Allahu në Kuran ka sjell argumente, dëshmi e sqarime të llojllojshme për të treguar se Ai është i Adhuruari i Vërtet, se askush tjetër nuk e meriton adhurimin përveç Tij dhe se Ai nuk ka shok e ortak në adhurim. Gjithashtu ka sqaruar se adhurimi ndaj çdokujt tjetër përveç Allahut, është humbje, devijim dhe i papranuar. Allahu thotë: Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme dhe se Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.” Lukman 30.

Ndërsa, emri المُبِين – El Mubiin – I Qarti, është përmendur vetëm një herë në Kuran, dhe atë së bashku me emrin الحَقّ:

  • në suren Nur:أَنَّ اللَّهَ هُوَ الْحَقُّ الْمُبِينُ – Allahu është e Vërteta, i Qarti.” Ajeti 25.

   Kuptimi i emrit المُبِين: Çështja e Allahut është shumë e qartë sa i përket njëshmërisë së Tij, teuhidit të Tij, kjo për çdo kënd, Ai nuk ka ortak dhe shok.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit