Emrat e Allahut: El Kahher dhe el Kaahir

Emrat القَهَّار,  القَاهِر – El Kahher dhe el Kaahir

Këta dy emra vijnë në kuptimin: Ngadhënjimtari. Emri القَهَّار – el Kahher është përmendur në gjashtë vende në Kuran dhe ka ardhur në formën hiperbolë të emrit القَاهِر – El Kaahir.

Emri القَاهِر – El Kaahir është përmendur në dy vende në Kuran, në suren Enam:

  • Ajeti 18: “وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِ – Ai është i Ngadhënjimtari, Sunduesi, mbi robërit e Vet”.
  • Ajeti 61: “وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِ – Ai është Ngadhënjimtari, Sunduesi, mbi robërit e Vet.”

Kuptimi i këtyre dy emrave: Ai të Cilit i janë nënshtruar e përulur të gjitha krijesat, qoftë të botës qiellore apo tokësore. Nuk ka mundësi të ndodhë diçka në univers, apo të lëvizë a të mos lëvizë, përveçse me lejen dhe vullnetin e Allahut. Ajo që dëshiron Ai të ndodhë, patjetër do të ndodhë dhe ajo që Ai nuk dëshiron të ndodhë, nuk ka mundësi assesi të ndodhë. Të gjitha krijesat janë nevojtare për Allahun. Nuk posedojnë për vetët e tyre as dëm, as dobi, as të mirë e as të keqe.

Fakti që Allahu është el Kahher, kjo kërkon patjetër që Allahut t’i takojë jeta absolute dhe e përsosur, e gjithashtu fuqia e forca absolute dhe e përkryer. Në gjashtë vendet e përmendura në Kuran, ky emër vjen bashkë me emrat Allah dhe el Waahid. Kjo është provë që dëshmon për njëshmërinë e Allahut, prej argumenteve që tregojnë se Ai është i vetmi i Cili meriton adhurimet tona. Ky emër tregon kotësinë e shirkut, të idhujtarisë, dhe të barazimit të të tjerëve me Allahun. Qëndron një lidhje e pandashme mes teuhidit dhe besimit në emrin el Kahher. Prej këtyre ajeteve përmendim:

قُلْ مَن رَّبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ قُلِ ٱللَّهُ ۚ قُلْ أَفَٱتَّخَذْتُم مِّن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ لَا يَمْلِكُونَ لِأَنفُسِهِمْ نَفْعًۭا وَلَا ضَرًّۭا ۚ قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلْأَعْمَىٰ وَٱلْبَصِيرُ أَمْ هَلْ تَسْتَوِى ٱلظُّلُمَٰتُ وَٱلنُّورُ ۗ أَمْ جَعَلُوا۟ لِلَّهِ شُرَكَآءَ خَلَقُوا۟ كَخَلْقِهِۦ فَتَشَٰبَهَ ٱلْخَلْقُ عَلَيْهِمْ ۚ قُلِ ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَىْءٍۢ وَهُوَ ٱلْوَٰحِدُ ٱلْقَهَّٰرُ.

Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” dhe përgjigju: “Allahu!” Thuaj: “A mos vallë, ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij, ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbëri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari”. Rad 16.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit