Emri i Allahut: En Nuur

Emri النُّور – En Nuur

Emri النُّور – En Nuur – Drita, është përmendur në suren Nur:

ٱللَّهُ نُورُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ مَثَلُ نُورِهِۦ كَمِشْكَوٰةٍۢ فِيهَا مِصْبَاحٌ ۖ ٱلْمِصْبَاحُ فِى زُجَاجَةٍ ۖ ٱلزُّجَاجَةُ كَأَنَّهَا كَوْكَبٌۭ دُرِّىٌّۭ يُوقَدُ مِن شَجَرَةٍۢ مُّبَٰرَكَةٍۢ زَيْتُونَةٍۢ لَّا شَرْقِيَّةٍۢ وَلَا غَرْبِيَّةٍۢ يَكَادُ زَيْتُهَا يُضِىٓءُ وَلَوْ لَمْ تَمْسَسْهُ نَارٌۭ ۚ نُّورٌ عَلَىٰ نُورٍۢ ۗ يَهْدِى ٱللَّهُ لِنُورِهِۦ مَن يَشَآءُ ۚ وَيَضْرِبُ ٱللَّهُ ٱلْأَمْثَٰلَ لِلنَّاسِ.

Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit.” Ajeti 35.

Es Sadi rahimehullah kur e ka komentuar këtë ajet ka thënë: “Drita që është cilësi e Allahut është dy lloje:

-dritë konkrete, madhështore, siç ka ardhur në hadith: “Sikur Allahu ta largonte pengesën (prej Fytyrë së Tij) që ka mes Tij dhe robërve të Tij, atëherë shkëlqimi i dritës së Tij dhe drita e madhështisë së Tij, do të shkatërronte çdo gjë ku përfundon shikimi i Tij (do të shkatërrohej i gjithë universi).” Të gjitha dritat, në qiejt e lartë, janë prej Dritës së Allahut. Të gjitha shkëlqimet e dritat që janë në xhenetet e kënaqësisë, janë prej Dritës së Allahut. Drita e Arshit, e Kursijit, e Xheneteve, janë prej Dritës së Tij, e të mos flasim për dritën e diellit, hënës, yjeve dhe planetëve (edhe ato janë prej saj).

-dritë abstrakte, me të cilën Allahu i ka ndriçuar zemrat e Pejgamberëve, të të zgjedhurve prej robërve të Tij, të dashurve të Tij dhe engjëjve të Tij, i ka ndriçuar me dritën e njohjes/diturisë dhe dashurisë ndaj Tij. Njohuria/dituria rreth Allahut sjell si rezultat në zemrat e të dashurve të Tij ndriçime të shumta, për aq sa e njohin Atë përmes cilësive të Tij të madhështisë dhe që i besojnë ato bindshëm. Çdo cilësi e Allahut lë gjurmë në zemrat e tyre, ngase dija rreth Allahut është njohuria më e lartë dhe më madhështore. E gjithë njohuria e dija e dobishme sjell dritë e shkëlqim në zemra…”

Duke qenë se النُّور – En Nuur, është prej emrave dhe cilësive të Allahut, atëherë edhe feja është dritë, ndriçim, gjithashtu Fjalët e Tij, i Dërguari i Tij, Xheneti i Tij. Drita ndizet e shkëlqen në zemrat e besimtarëve, ajo del dhe prej gjuhëve të tyre, e pastaj gjurmët e saj shfaqen në fytyrat e tyre. Këtë dritë Allahu do t’ua plotësojë në Ditën e Gjykimit, “Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. Tahrim 8.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit