Dijetari i madh islam shejh Abdurrahman ibn Nasër es Sadi rahimehullah
Ai qysh i vogël, është njohur në mesin e njerëzve si njeri i mirë, i devotshëm; ai ka fal namazin rregullisht dhe është fal në xhami. Ai është njohur për nga mendjemprehtësia, zgjuarsia e madhe dhe dëshira e flaktë për të mësuar fenë e Allahut.
Prej moraleve të tij ka qenë buzëqeshja. Ai ka qenë njeri pozitiv dhe optimist. Ai ka futur lumturi në mesin e njerëzve.
Shejhu ka qenë shenjë prej shenjave të Allahut, për nga edukata dhe morali i mirë. Ai ka qenë i mëshirshëm për njerëzit dhe i dashur. Të gjithë e kanë dashur, aty ku ka jetuar. Ka qenë shumë i durueshëm ndaj tyre.
Ai ka qenë njeri shumë ambicioz, zemërgjerë, gazmor (mesatar, pa e tepruar në këtë e as i vrenjtur). Përmendet se ka qenë i respektueshëm ndaj njerëzve, i përkushtuar ndaj tyre, u është përgjigjur, i ka vizituar të sëmurët, i ka përcjellë xhenazet e muslimanëve.
Ai ka qenë njeri i dëlirë (nuk ka kërkuar lëmoshë), shumë i përkushtuar në përmirësimin e muslimanëve (kur kanë pasur ngatërresa mes tyre dhe kanë shkuar tek ai, menjëherë ka nxituar t’i zgjidhë).
Ai ka qenë pikë reference e njerëzve (në krahinën Unejze), ka qenë mësues, edukues, këshillues, imam, hatib dhe myfti. E të gjitha këto i ka bërë për hir të Allahut, nuk ka pranuar të marrë pagesë.
Ai tërë jetën e tij ka qenë i përkushtuar ndaj dijes islame, qoftë duke e memorizuar, apo duke e mësuar, apo duke e studiuar, apo duke ua mësuar të tjerëve. Allahu atij i ka dhënë shumë bereqet në kohë, sa i përket dijes dhe shkrimit të librave.
Tema e lumturisë, ka qenë një obsesion i shejhut, dhe vazhdimisht ka menduar lidhur me të, e kjo vërehet në shkrimet e tij. Madje te vetë jetëshkrimi i shejhut, vërehet se jeta e tij ka qenë zbatim praktik se si duhet të kuptohet lumturia në Islam. Përmendet se ka qenë njeri i lumtur, i gëzuar, optimist, ka futur lumturi e optimizëm në mesin e muslimanëve. Një prej nxënësve të tij ka thënë: “Ka qenë njeri sikur ka hyrë në xhenet dhe ka dal prej tij dhe se do të kthehej prapë në të.” Kështu ka qenë jeta e tij, kështu e ka kuptuar lumturinë dhe rëndësinë e saj (në jetën e muslimanit).
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.