─Kur tjetri të bën një të mirë
~Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kujt i bëhet një e mirë nga dikush le ta shpërblejë (le t’ia kthejë me të mirë), e nëse nuk gjen me çfarë, atëherë le ta lavdërojë sepse kështu është treguar mirënjohës. E nëse e mbulon atë të mirë që ia ka bërë atëherë e ka mohuar atë.” Buhariu. Kjo sepse Allahu thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” Rrahman 60, dhe: “Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu”. Kasas 77.
Kushdo që ta bën një të mirë, vëllai musliman, shoku, kolegu, madje edhe jobesimtari, atëherë kërkohet që ta shpërblesh. Madje është e kërkuar që jobesimtarit t’i kthehet sa më shpejt e mira në mënyrë që mos të ta përmendë.
Islami i ka kushtuar vëmendje të madhe kthimit të së mirës me të mirë, dhe këtu është një synim, që është largimi nga zemra i robërimit ndaj krijesës. Kjo sepse kur dikush i bën mirë dikujt, me këtë ia zapton zemrën. Siç thotë një poet: “Bëju mirë njerëzve, do t’ua robërosh zemrat.” Islami ka ardhur me kthimin e së mirës, e nëse nuk gjen me çfarë atëherë le ta lavdërojë dhe të lutet për të derisa të shohë se ia ka kthyer të mirën me të mirë. Në këtë mënyrë në zemër nuk mbetet robërim e nënshtrim ndaj krijesës dhe robëria e tij ndaj Allahut do të jetë e plotë, vetëm ndaj Tij.
-“le ta lavdërojë” të përmendë e të përhapë në mesin e njerëzve të mirën që ia ka bërë dhe kjo nënkupton dhe lutjen për të. Lutja më e mirë është t’i thotë “Allahu të shpërbleftë me të mira”. Ajo përmbledh hajrin e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Një grup i njerëzve tregohen mirënjohës, njëri grup e mohojnë të mirën dhe i treti të mirën e kthejnë me të keqe (kjo është edukata më e keqe).
~ Hadithi tjetër: “Nuk e falënderon Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit.” Ku është ndërlidhja mes këtyre dy gjërave? Dijetarët kanë sjellë tri interpretime:
- Allahu ka urdhëruar ta falënderosh atë që të bën një të mirë.
- Allahu e ka bërë atë njeri shkak për atë të mirë, i ka nënshtruar njerëzit që ta sjellin atë të mirë tek ti.
- Personi që nuk i falënderon njerëzit për një gjë të vogël- ato janë të pakta në krahasim me të mirat që t’i bën Allahu- e si është puna e falënderimit për begatitë e Allahut të cilat janë të mëdha?
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.