“Kush merr rrugë për të kërkuar dije…”

⭐️Hadith: “Kush merr rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson rrugën drejt Xhenetit. Vërtet, engjëjt shtrijnë krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e dijes.” Ahmedi dhe të tjerët.

-Dija nuk mund të arrihet ndryshe veçse nëse kemi ambicie të larta.

-Në kohën e sotme është lehtësuar shumë kërkimi i dijes, mirëpo prapë njerëzit tregohen të shkujdesur në këtë dhe nuk e japin mundin të mësojnë për fenë e Allahut.

-Ka prej njerëzve që përpiqen shumë në kërkimin e dijes dhe lodhen në këtë rrugëtim – këta meritojnë të kenë përshkrimin e ardhur në këtë hadith.

-Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Për atë që ua mëson të tjerëve hajrin, kërkon falje çdo gjë.” Jo vetëm krijesat e gjalla, por edhe ato pa intelekt. Kjo është për atë njeri i cili përpiqet e lodhet në kërkimin e dijes.

-Andaj, besimtari duhet të ketë ambicie të larta dhe qëllime të mëdha që të mësojë fenë e tij. Ai nuk duhet të nënçmojë veten e të thotë se kjo rrugë është e lodhshme dhe e paarritshme, apo të thotë se ka shumë dijetarë dhe nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë, ngase mund të vijë një ditë kur njerëzit do të kenë nevojë për atë pak dije që ke.

-Kur njeriu përpiqet të mësojë për fenë e Allahut, të cilën e ka lënë trashëgim Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, kjo është një vlerë e madhe për të. Andaj, kur të na ulen ambiciet në kërkimin e dijes apo dembelosemi, duhet t’ia kujtojmë vetes këtë hadith dhe se kërkuesit e dijes janë trashëgimtarët e Profetëve.

-Lodhja në rrugën e dijes dhe ambicia e lartë është ajo që kërkohet sot te praktikuesit e Islamit. Ata duhet të kujtojnë edhe shpërblimin e shumtë që e pret, në këtë botë dhe tjetrën. Krahas kësaj duhet ta lusë Allahun t’i japë sukses dhe ta ndihmojë të ndjekë këtë rrugë.

-Mos e nënçmo asnjë dije që merr. Mirëpo, e rëndësishme është që të merret dija e pastër, e qartë, e saktë, sipas parimeve.

-Për besimtarin, dija duhet të jetë gjëja më e rëndësishme.

-Dija është e gjerë. Andaj, merre atë pjesë që të bën dobi, veçanërisht atë dije që ka të bëjë me njësimin e Allahut (teuhidin)  dhe besimin (akiden) sepse kjo e përmirëson të brendshmen dhe të jashtmen tënde.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit