Meija e Allahut – Cilësi e Tij

Meija e Allahut – Cilësi e Tij

Allahu është me krijesat e Tij. Dhe kjo (meija e Allahut) ndahet në dy lloje:

  1. E përgjithshme: Kjo përfshin të gjithë njerëzit, qofshin besimtarë apo jobesimtarë. Allahu i ka përfshirë të gjitha krijesat, me dijen e Tij, me fuqinë e Tij, me dëgjimin e shikim e Tij, me pushtetin e Tij, me ngadhënjimin e Tij dhe të tjera. Atij nuk mund t’i ikën e as nuk mund t’i fshehët asgjë në këtë univers.
  2. E veçantë: Për ndonjë cilësi (si: devotshmëria, bamirësia etj.) apo për ndonjë person (kjo është më e veçanta). Allahu i ndihmon, i përkrahë, i ruan, i do, u jep sukses dhe i inspiron ata me të cilët është Ai.

Sqarim

Ajetet ku Allahu thotë: “Allahu është me ju” kanë kuptimin: Ai e di gjendjen tuaj, shikon veprat tuaja, dëgjon fjalët tuaja, është i fuqishëm mbi ju, është gjykatës mbi ju, asgjë nuk i fshehët Atij. Allahu është me dijen e Tij. Këtë e ka transmetuar Ibën Abbasi, Dahaku, imam Ahmedi, eth Theuri. Ndërsa shejhul Islami ka thënë se meija e Allahut është e vërtetë, reale, ashtu siç i takon madhështisë dhe madhërisë së Tij, porse nuk është si meija mes krijesave. Meija e Allahut i pohohet Atij së bashku me pohimin e lartësimit të Tij. Allahu është me ne dhe njëkohësisht është i Lartësuar mbi Arshin e Tij – është mbi çdo gjë. Dhe nuk duhet të paramendohet se Allahu është së bashku me neve aty ku ne jemi. Nuk ka kundërshti mes lartësimit të Allahut dhe meijes së Tij, sepse asgjë nuk i shëmbëllen Atij në Cilësitë e Tij. Ai është i Lartësuar e njëkohësisht afër nesh dhe Allahu është afër nesh e njëkohësisht i Lartësuar mbi Arshin e Tij në qiell (e nuk është në çdo vend, i përzier me krijesat e Tij- kjo gjë është nënvlerësim i madh ndaj Allahut).

Kur ne e besojmë meijen e Allahut në këtë mënyrë, atëherë si rezultat do ta kemi frikë Atë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo që e fisnikëron (pastron) shpirtin është kur njeriu e di se Allahu është me të kudo që të gjendet.” Silsileh sahiha.

***

Allahu thotë: “Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” Hadid 4.

Ai është me ju kudo që të gjendeni” – Ai iu mbikëqyrë ju, është dëshmitar i asaj që veproni, kudo që të gjendeni, qoftë nëse gjendeni në tokë, apo në det, apo gjatë natës a ditës, apo brenda a jashtë, apo në rrugë a vende të shkreta etj. Kjo është meije e përgjithshme, me të cilën Allahu ka përfshirë të gjitha krijesat. Ajo kërkon pashmangshmërisht se Allahu ka përfshirë krijesat me dijen, fuqinë, pushtetin, dëgjimin e shikimin e Tij dhe të tjera prej kuptimeve të rububijes së Tij.

Ky ajet na jep shenjë se ne duhet të përpiqemi të përjetojmë ndjesinë se Allahu është me neve – Ai na sheh dhe dëgjon, ky është ihsani (adhurimi ndaj Allahut sikur jemi duke e parë atë, edhe pse ne nuk e shohim Ai na sheh neve).

***

Allahu thotë: “Nuk ka bisedë të fshehtë midis tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti; as midis pesë vetave e që Ai të mos jetë i gjashti; as kur janë më pak, as kur janë më shumë, që Ai të mos jetë me ata, kudo që të ndodhen; Ai në Ditën e Kiametit do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë, se, me të vërtetë, Allahu di çdo gjë!”. Muxhadile 7.

Ky ajet flet për meijen e përgjithshme. Allahu i sheh dhe i dëgjon fjalët e tyre. Allahu dëgjon bisedat e tyre dhe çfarë fshehin në zemra, dhe gjithashtu Ai ka caktuar engjëj që të shkruajnë atë që flasin ata. Ibën Kethiri ka thënë: “Qëllimi me meijen e Allahut në këtë ajet është dija e Tij. Nuk ka dyshim se ajeti ka për qëllim këtë gjë, mirëpo kësaj duhet t’i shtohet edhe dëgjimi (Allahu i dëgjon ata) dhe shikimi i Tij (Ai i sheh ata). Allahu i sheh të gjitha krijesat dhe nuk ka mundësi t’i fshehët ndonjë gjë prej çështjeve të tyre.”

Dhe meija e Allahut e përmendur në ajet ka si rezultat të pashmangshëm llogarinë e njerëzve për veprat që kanë bërë, e pastaj: Ai në Ditën e Kiametit do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë”. Allahu do t’i njoftojë për atë që kanë vepruar dhe gjithashtu do t’i marrë në llogari e pastaj do t’i dënojë. Ndërsa, për besimtarin llogaria do të jetë e lehtë ku vetëm do t’ia numërojë mëkatet dhe do t’i thotë: “T’i kam mbuluar në dunja, ndërsa sot do t’i fali ato.” Dhe pastaj e fut në Xhenet.

***

Allahu thotë: “Mos u pikëllo, se Allahu është vërtet me ne!” Teube 40.

Këto fjalë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka thënë Ebu Bekrit kur kanë qenë të strehuar në shpellë, duke qenë idhujtarët te hyrja e shpellës – mbi ta, ngjarje e cila ka ndodhur në vitin e hixhretit, duke shkuar për në Medine. Ai salAllahu alejhi ue selem e ka qetësuar Ebu Bekrin (i cili ishte shqetësuar për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem) me fjalët: “Allahu është vërtet me ne!”

“Mos u pikëllo” përfshin të gjitha shqetësimet, pikëllimet e brengat që ka besimtari. Kjo shprehje përdoret edhe për të kaluarën edhe për të ardhmen. Besimtari duhet të këshillojë familjen dhe vëllezërit me këto fjalë: “Mos u pikëllo!” Nuk ka dobi nga gjendja e pikëllimit, qoftë nëse ka të bëjë me gjërat e kaluara apo të ardhme.

Meija e përmendur në ajet është meije e veçantë dhe e kufizuar vetëm për Pejgamberin salallahu alejhi ue selem dhe Ebu Bekrin. Krahas meijes së përgjithshme, Allahu gjithashtu është me ta me ndihmën, përkrahjen dhe mbrojtjen e Tij. Ai e ka marr çështjen e tyre përsipër dhe nuk i lë në dorën e armikut etj. Dhe kështu, idhujtarët kanë qëndruar në buzë të hyrjes së shpellës dhe nuk e kanë parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe Ebu Bekrin, sepse Ai ua ka verbuar shikimet e tyre. Ai me të cilin është Allahu, nuk duhet të frikësohet dhe askush nuk mund ta mposhtë atë dhe ai që nuk mposhtet nuk duhet të pikëllohet.

***

Allahu thotë: “Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” Ta he 46.

Këto fjalë Allahu ia ka thënë Musës dhe Harunit, kur i ka urdhëruar të shkojnë te Faraoni për ta thirrur në fenë e Allahut. “Unë jam me ju” – Kjo meije e veçantë (për Musën e Harunit) kërkon medoemos se Allahu i dëgjon dhe i sheh ata dhe si rezultat Ai do t’i ndihmojë, përkrahë dhe mbrojë.

***

Allahu thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” Nahl 128.

Në këtë ajet, përmendet meija e veçantë për një cilësi të caktuar, pra Allahu është me ata që janë të devotshëm e që ruhen (prej mëkateve dhe ndalesave dhe ruajnë kufijtë e Tij) dhe me ata që veprojnë vepra të mira, Ai është me ta me ndihmën, kujdesin, ruajtjen dhe përkrahjen e Tij. Nëse përpiqemi t’iu përmbahemi këtyre dy cilësive, atëherë do të kemi rezultate në dobishme në besimin, jetën, gjendjen dhe sjelljen tonë. Nëse dëshiron që Allahu të jetë me ty, atëherë përpiqu t’iu përmbahesh këtyre dy cilësive.

***

Allahu thotë: “Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” Enfal 46.

Këtu përmendet meija e veçantë e Allahut për një cilësi të caktuar, që është durimi. Kush ka durim, atëherë Allahu është me të: do ta ruajë dhe do ta ndihmojë. Ky ajet na tregon se durimi është obligativ (Allahu na urdhëron me durim). Përfshihen të tri llojet e durimit:

-Durimi në zbatimin e obligimeve. Ky është durimi më i mirë.

-Durimi në largimin prej mëkateve.

-Durimi në caktimet e Allahut (me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë).

***

Allahu thotë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”. Bekare 249.

Nëse dëshirojmë që Allahu të jetë me ne dhe të triumfojmë, atëherë duhet të tregohemi të duruar me të tri llojet e durimit (siç cekëm më lartë).

Edhe në këtë ajet kemi nxitje për të bërë durim. Allahu na tregon këtu se shkaku kryesor dhe më madhështor me të cilin arrihet qëllimi, është durimi. Allahu është me durimtarët veçanërisht dhe ua ka bërë të garantuar fitoren.

Prej dobive që përfitohen kur e dimë se Allahu është me ne janë:

  1. Besimi se Allahu ka përfshirë çdo gjë. Allahu megjithëqë është i lartësuar mbi krijesat e Tij, Ai është me ta. Atij nuk i fshehët asgjë prej gjendjeve të krijesave të Tij dhe veprave që bëjnë.
  2. Plotësimi i besimit se Allahu na mbikëqyrë në çdo kohë. Kur ta arrijmë këtë, atëherë patjetër do të zbatojmë urdhrat e Tij dhe do të largohemi prej mëkateve.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit