Abdullah ibën Mesudi radijAllahu anhu

Abdullah ibën Mesudi radijAllahu anhu

Ai ka qenë njëri prej sahabëve të shquar dhe prej dijetarëve në mesin e tyre. Kunja e tij ka qenë Ebu AbduRrahman. Dijetarët kanë transmetuar hadithe të shumta prej tij. Gjithsej prej tij transmetohen 848 hadithe në librat e haditheve.

Ai njihet se ka qenë prej të parëve të cilët kanë hyr në Islam. Kur ka hyr në Islam, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur për të: “Allahu të mëshiroftë se ti vërtet je një djalosh me dije!” Ai salAllahu aljehi ue selem e ofroi shumë pranë vetes në fillimin e Islamit të tij saqë ai për dallim prej sahabëve të tjerë, hynte tek ai pa marr leje, veshte këpucët e tij dhe ecte para tij. Ai ka qenë në shërbim të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Atij i kishte thënë se mund të hynte tek ai salAllahu alejhi ue selem pa marr leje (me kusht) nëse ia dëgjonte zërin dhe nëse e gjendte perden të larguar prej derës.

Abdullah ibën Mesudi ka qenë njohësi i sekreteve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ai që ka mbajtur miswakun e tij. Ky shoqërim me të, e ka bërë Abdullah ibën Mesudin të lexojë Kuranin më së miri prej sahabëve. Në ditë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i thotë Abdullah ibën Mesudit: “Lexo Kuran!” Dhe ai ia kthen: “Si të të lexoj ty kur ty të është zbritur Kurani?” Ai salAllahu alejhi ue selem i thotë: “Lexo sepse unë dëshiroj të dëgjoj prej të tjerëve leximin e Kuranit.”

Abdullah ibën Mesudi ka qenë i pari pas Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, i cili e ka lexuar Kuranin haptazi – publikisht, në Meke, në praninë e idhujtarëve. Dhe kjo gjë pastaj i ka kushtuar me goditje dhe dhunë, saqë Ebu Xhehli ia ka shkul veshin prej vendi.

Ai gjithashtu ka qenë njeriu i cili më së shumti i ka përngjarë sjelljes dhe karakterit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ai ka qenë prej sahabëve i cili më së shumti ka pasur dije dhe njohuri për Kuranin.

Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat, së bashku me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem.

Ai ia ka dhënë goditjen fatale të fundit Ebu Xhehlit pasi ka qenë i plagosur në betejën e Bedrit.

Tiparet fizike: Ka qenë i dobët në peshë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Një këmbë e Abdullah ibën Mesudit, do të vijë më rëndë në Peshore në Ditën e Gjykimit sesa mali i Uhudit.” Kjo tregon se e rëndësishmja te njeriu është besimi që ka në zemrën e tij, e jo madhësia dhe pesha e trupit të tij. Ai ka qenë esmer dhe i shkurtër me trup. Nuk i lyente thinjat. Pëlqente parfumin dhe parfumosej shumë. Kur dilte prej shtëpisë së tij, komshinjtë e dinin se ai ka kaluar andej për shkak të gjurmëve së parfumit.

Ai ka vdekur në Medine, në vitin 32 Hixhri, në moshën gjashtëdhjetë e ca vjeçare. Është varrosur në varrezën Beki, gjatë natës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit