Të folurit e Allahut – Cilësi e Tij

Të folurit e Allahut – Cilësi e Tij

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se Allahu do të thotë në ditën e Gjykimit: “O Adem!”, e ai do të thotë: “Të përgjigjem Ty, o Allah!” Ai e thërret Ademin me zë: “Allahu të urdhëron ty të ndash prej pasardhësve të tu ata të cilët do të dërgohen në Zjarr.” Ademi e pyet: “Kush janë ata të cilët do të dërgohen në Zjarr?” Allahu i thotë: “Prej çdo 1000-ve janë 999 persona.” Buhariu dhe Muslimi

Kur e kanë dëgjuar sahabët këtë hadith, janë mërzitur dhe i kanë thënë: “O i Dërguar i Allahut, ku do të mbesim ne në mesin e të gjithë këtyre njerëzve?!” Dhe ai salAllahu alejhi ue selem i ka qetësuar duke iu thënë: “Përgëzohuni, sepse 999 janë prej Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, kurse 1 është prej jush! Ju jeni në tokë sikur qimja e zezë në trupin e kaut të bardhë, apo sikur qimja e bardhë në trupin e kaut të zi. Unë shpresoj se ju do të jeni një e katërta e banorëve të Xhenetit!” Atëherë sahabët bënë tekbir (nga gëzimi). Dhe iu tha atyre: “Do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.” Prapë bënë tekbir. Iu tha atyre: “Do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Prapë bënë tekbir.

Ky hadith pohon të folurin si Cilësi e Allahut. Allahu flet vërtetë. Ai flet kur të dëshirojë dhe siç dëshiron Ai, siç i takon madhërisë së Tij. Po ashtu thërret me zë, me thirrje që dëgjohet nga ai të cilit ia drejton thirrjen e Tij. Të folurit e Allahut si Cilësi është e pafillim. Allahu ka folur në pafillim. Mirëpo, pjesët e të folurit të Allahut janë i folur i ri – Fjalët me të cilat flet janë të reja, Ai flet vazhdimisht sipas dëshirës dhe vullnetit të Tij.

Allahu do të thotë në ditën e Gjykimit: “O Adem!” Allahu flet me shkronja dhe me zë, ngase thirrja është e përbërë nga këto të dyja. Ka argumente të shumta që tregojnë se Allahu thërret me zë të lartë (disa prej robërve të Tij) dhe gjithashtu se Ai flet me bisedë normale (pa e ngrehur zërin). Kjo na tregon se të folurit e Allahut nuk është kuptim i brendshëm – që nuk dëgjohet thirrja dhe zëri.

Ademi do ta dëgjojë thirrjen dhe urdhrin e Allahut dhe do t’i përgjigjet. Ibën Kajimi për fjalën: “Të përgjigjem Ty, o Allah!” thotë: “Sipas gjuhës arabe dhe logjikës së shëndoshë, nuk pranohet që t’i thuash dikujt “Të përgjigjem” përderisa ai nuk ka folur dhe ti nuk e ke dëgjuar urdhrin e tij.”

“Ai e thërret Ademin me zë” – Këtu pohohet se Cilësi e Allahut është zëri, i cili është zë i vërtetë që duhet ta besojmë ashtu siç i takon madhështisë së Allahut dhe nuk i përngjason e as nuk i shëmbëllen zërave të krijesave.

“Allahu të urdhëron ty të ndash prej pasardhësve të tu ata të cilët do të dërgohen në Zjarr” – E nuk tha: “Unë të urdhëroj”. Kjo mënyrë e të folurit, e ardhur në hadith, tregon për lartësim dhe madhështi. Allahu e ka veçuar Ademin me këtë urdhër për shkak se ai është babai i të gjithë njerëzimit dhe atij ia ka mundësuar të dijë se cilët janë njerëzit e lumtur dhe cilët janë të mjeruar në botën tjetër.

***

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo njërit prej jush do t’i flasë Allahu (Ditën e Gjykimit) dhe ndërmjet tyre nuk do të ketë përkthyes.” Buhariu dhe Muslimi

Këto fjalë përfshijnë të gjithë besimtarët në çdo kohë dhe të gjithë njerëzit. Në hadith qartësohet se çdo njeriu do t’i flasë Allahu – nuk do të ketë njeri veçse do t’i flasë në Ditën e Gjykimit, siç i takon madhërisë dhe madhështisë së Tij.

Të folurit e Allahut ndaj njerëzve është dy lloje: 1. U flet pa ndërmjetës – përkthyes (siç përmendet në këtë hadith). 2. U flet me ndërmjetës (siç u ka folur Pejgamberëve duke u shpallur lajme, ndalesa e urdhrave, përmes Xhibrilit).

Ky hadith pohon të folurit e Allahut si Cilësi e Tij dhe tregon se nuk është sikur lloji i të folurit të njerëzve. Të folurit e Allahut dëgjohet dhe secili në Ditën e Gjykimit do ta dëgjojë atë (është i folur me zë) dhe do ta kuptojë atë aq mirë saqë nuk do të ketë nevojë për ndërmjetës-përkthyes. Të gjithë do ta dëgjojnë Fjalën e Allahut kur u drejtohet, sikur ata që janë afër sikur ata që janë larg.

Të folurit e Allahut është dy lloje:

Fjalët kozmologjike– ndërlidhen me urdhrat që jep kur dëshiron të krijojë diçka në universin e Tij.

Fjalët fetare – ndërlidhen me urdhrat, ndalesat dhe lajmet e zbritura në Librat e Tij te Pejgamberët e Tij.

“Çdo njërit prej jush do t’i flasë Allahu (Ditën e Gjykimit)” – Hadithi nuk nënkupton se ata do ta shohin Allahun gjatë kohës sa merren në llogari.

Dobitë që përfitohen nga këto hadithe:

-Të përfytyrojmë ngjarjen që përmendet në hadith: “Allahu të urdhëron ty të ndash prej pasardhësve të tu ata të cilët do të dërgohen në Zjarr.” Kjo është një ndodhi e frikshme. Secili prej nesh do të jetë aty, do të dëgjojë këto fjalë dhe do të përjetojë këtë ndodhi e do ta shohë me sytë e tij. Andaj, duhet të kemi frikë se mos jemi prej këtyre të cilët do të dërgohen në Zjarr. Kur këtë hadith e lexojmë në këtë mënyrë, kjo do të mbjellë frikë në zemrat tona që të mos veprojmë mëkate dhe që të zbatojmë urdhrat e Allahut.

– Secili do ta përjetojë këtë: “Çdo njërit prej jush do t’i flasë Allahu (Ditën e Gjykimit) direkt”, andaj duhet të kemi kujdes që të mos veprojmë mëkate në mënyrë që pastaj të mos na shfaqen para Allahut ato mëkate dhe të na përmendë ato.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit