Dita e Pikëllimit

Dita e Pikëllimit

Allahu në Suren Bekare në ajetin 48 na fton që të kemi frikë Ditën e Gjykimit, “Frikësojuni Ditës kur askush nuk do të mund të bëjë asgjë për askënd dhe, kur prej askujt nuk do të pranohet as ndërmjetësim, as shpërblesë e as që do të ndihmoheni.”

Kjo Ditë nuk është sikur ditët e tjera. Ajo është një Ditë në të cilën do të ndryshohen peshoret, do të qartësohen realitetet dhe do të zbulohen të fshehtat. Në këtë Ditë nuk do të pranohet asnjë shfajësim dhe çdo njeri do të shohë një heshtje të tmerrshme dhe një nënshtrim të frikshëm.

Atë Ditë, Allahu e ka quajtur me emra të ndryshëm në Kuran, si: “Dita e afërt”, apo “Dita e thirrjeve”, apo “Dita e ndarjes”, apo “Dita e Ringjalljes”, apo “Dita e Gjykimit”, apo “Dita e llogaridhënies”. Të gjithë këta emra sjellin frikë në zemrën e besimtarit. Mirëpo, është dhe një emër tjetër i cili lëviz nga vendi zemrën e njeriut (apo është dashur ta lëvizte) dhe trondit ndjenjat e tij, e që është: “Dita e Pikëllimit”.

Në këtë Ditë do të shtohen keqardhjet dhe psherëtimat, “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” Merjem 39.

Ajo është Ditë e Pikëllimit për jobesimtarët, për zullumqarët, për ata që ia kanë kthyer shpinën Allahut, ngase secilit do t’iu shfaqen ato gjëra për të cilat nuk kanë llogaritur se do një ditë do të ballafaqohen me to.

Ajo është Ditë e Pikëllimit dhe zemërthyerjes, në të cilën jobesimtari do të pikëllohet për mosbesimin që ka pasur, zullumqari do të pikëllohet për zullumin që ka shkaktuar ndaj të tjerëve, i shkujdesuri do të pikëllohet për shkujdesjen e treguar në adhurimin ndaj Allahut. Mirëpo, ky pikëllim në atë Ditë, nuk do të bëjë dobi. Allahu thotë: “Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjë dobi shfajësimi i tyre. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i shëmtuar.” Gafir 52

Ajo është Ditë e Pikëllimit ngase zërat do të ngritën lartë me të qara dhe vajtim, do të shtohen shpresat e kota dhe lutjet për ndërmjetësim. Shumë njerëz do të thonë: “O Zoti im, më kthe edhe një herë në jetën e kësaj bote! Ndoshta do të bëj vepra të mira të cilat i kam braktisur sa kam qenë në jetën e dunjasë dhe i kam lënë anash!” Do thonë: “Sikur të kisha mundësi të kthehesha edhe një herë dhe të isha nga punëmirët!” Do të thonë: “O Zoti im, pse nuk ma shtyve edhe pak afatin e vdekjes për një kohë që të jepja lëmoshë dhe të bëhesha nga të devotshmit?”

Ajo është Ditë e Pikëllimit ngase njeriu do të shoh të vërtetën dhe do të marrë mësim nga ajo që sheh. Mirëpo, koha për të marrë mësim ka ikur dhe këshilla nuk bën më dobi. Allahu thotë: Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!” Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time (të ahiretit)!” Fexhr 23-24.

Është pikëllim dhe thyerje e zemrës për njerëzit sepse Allahu ua ka dhënë atyre mundësinë sa janë në këtë jetë që të shpëtojnë, mirëpo ata vetë zgjodhën largimin dhe zmbrapsjen nga udhëzimi. Allahu ua ka hapur atyre dyert e Mëshirës së Tij, megjithëkëtë, ata u larguan. Allahu i thërret: “Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën Allahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni.” Shura 47.

A ka pikëllim më të madh sesa kur njeriu humbet kënaqësinë e Allahut dhe Xhenetin e Tij dhe meriton Zemërimin e Allahut dhe hyrjen në Xhehenem, për të cilin Allahu thotë: “Për jobesimtarët është përgatitur zjarri i Xhehenemit, ku ata nuk do të vdesin dhe as që do t’u lehtësohet dënimi. Ja, kështu Ne do t’i dënojmë mosmirënjohësit.” Fatir 36. As nuk do të kenë mundësinë të kthehen në jetën e kësaj bote, as nuk kanë me vete vepra me të cilat mund të shpëtojnë nga Dënimi i Allahut. Kështu që, shpresojnë të ishin dhe apo të bëheshin dhe.

Ajo është Ditë e Pikëllimit për ata të cilët kanë adhuruar të tjerë përveç Allahut, kur të adhuruarit i braktisin dhe heqin dorë nga ta. Allahu thotë: “Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje. Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.” Bekare 167-168.

Nuk ka pikëllim më të madh sesa ai i cili do të thërrasë në atë Ditë: “Mjeri unë, sikur ta kisha ndjekur rrugën e të Dërguarin e Allahut!”, “Mjeri unë, sikur të mos e kisha marrë filanin për mik, ngase ai ishte shkak të devijoja nga Këshilla (Kurani)!”

Të gjithë njerëzit duhet të kenë kujdes ndaj kësaj Dite. Edhe muslimanët, duke mos rënë pre e thirrësve që thërrasin në gjëra të ndaluara, po ashtu gruaja muslimane duke mos rënë pre e tyre e të heqë mbulesën, apo të mosmbulohet e të rebelohet ndaj fesë.

Ajo është Ditë e Pikëllimit për të padrejtët ndaj të tjerëve. Siç ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se atë Ditë do të vijë një njeri me vepra të mira sa malet, porqë ka bërë padrejtësi ndaj të tjerëve, dikë e ka vrarë, dikujt ja ka marrë pasurinë, dikë e ka ofenduar, për dikë tjetër ka shpifur, dikë e ka goditur, dhe atij i merren shpërblimet e veprave e do t’iu dhurohen atyre, e kur shpërblimet mbarojnë, atëherë atyre u merren gjynahet dhe i hidhen atij, pastaj do të hidhet në Xhehenem. Por, si do të jetë gjendja e atij që në atë Ditë do të vijë me pak vepra të mira?!

Ajo është Ditë e Pikëllimit për ata që thërrasin njerëzit drejt humbjes, me veprat dhe fjalët e tyre, ngase në atë Ditë do të vijnë duke bartur mbi kurriz mëkatet që kanë vepruar ata vetë dhe të pasuesve të tyre. A ka pikëllim më të madh sesa ai që i ka thirrur njerëzit drejt një devijimi, apo që ka ligjësuar ndonjë vepër të shëmtuar, apo që ka lehtësuar rrugën drejtë një të keqeje dhe gjynahu në tokë?! Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që i thërret njerëzit në një rrugë të humbur e të devijuar, do të bartë barrën e mëkateve të të gjithë atyre që e ndjekin (veprojnë me të) deri në Ditën e Gjykimit.”

Ajo është Ditë e Pikëllimit sepse atë Ditë shejtanët do të braktisin pasuesit e tyre, “Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju mu përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.” Ibrahim 22.

Nuk ka pikëllim më të madh për banorët e Zjarrit sesa kur ata të thërrasin me zë të lartë atë Ditë për t’i shpëtuar Allahu, mirëpo Ai ua tregon vendin e tyre në Xhenet sikur t’i bindeshin Atij në jetën e dunjasë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdokujt që hyn në Xhenet, Allahu ia mundëson të shohë vendin që do ta priste në Xhehenem nëse do të ishte mohues dhe keqbërës… Çdokujt që hyn në Xhehenem, Allahu ia mundëson të shohë vendin e tij që do ta priste në Xhenet nëse do të ishte punëmirë, dhe kështu atij i shtohet më shumë pikëllimi.”

Kulmi i pikëllimit është kur banorët e Xhehenemit e thërrasin Allahun duke thënë: “O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehenemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.” Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!” Muminun 107-108.

Kur tregohemi të dobët përball epsheve dhe ndalesave, atëherë nuk ka frenues që na bën dobi më shumë dhe nuk ka pengues që na ndalon më shumë nga to, sesa kujtimi i Ditës së Gjykimit. Allahu thotë: “Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!” Mutafifin 6. Ditën në të cilën, ai që ka qenë i shkujdesur, do të thotë: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Zumer 56.

 

Sikur ne të vendosnim botën tjetër para syve tanë dhe ta bënim synimin tonë parësor e kryesor, atëherë patjetër që zemrat tona nuk do të ishin të ngurta, siç na janë ngurtësuar, shpirtrat tanë nuk do të ishin të larguar prej Allahut, siç na janë larguar.

Pastaj duhet të dimë se, kjo Ditë e Pikëllimit patjetër se do të vije – nuk ka dyshim në këtë.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎬 Transkriptim

Madhësia e tekstit