A lejohet të themi “Filani ma ka ngjitur gripin” dhe a lejohet ta largojmë kur dikush është me grip apo t’i largohemi?

Përgjigjje: Nuk ka të keqe nëse largohesh prej atij që ka grip ose me sëmundje ngjitëse (infektive). Porse, gripi kalon tek tjetri veçse me lejen e Allahut.

? Disa dijetarë kanë thënë: “Nëse njeriu e ka besimin e madh dhe mbështetjen e fortë në Allahun, nuk ka të keqe të përzihet me njerëz të sëmurë”, siç ka ndodh në disa raste me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij, të cilët e kanë ditur se asgjë nuk ndodh pa kaderin e Allahut, “por nëse e ka besimin e dobët dhe kur përzihet me të tjerët i ngjitet gripi apo ndonjë sëmundje tjetër, dhe kështu fillon të ketë mendim të keq për Allahun dhe kaderin e Tij duke thënë: “sikur mos të isha përzier me ta nuk do më ndodhte kjo gjë”, atëherë i tilli më mirë është të largohet e të mos përzihet me ta”.

? Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka sëmundje ngjitëse”, ku qëllimi me këtë siç e kanë shpjeguar dijetarët është se njerëzit e injorancës kanë pasur mendimin se sëmundja vetvetiu kalon nga njëri person në tjetrin dhe ai salAllahu alejhi ue selem ka dashur ta largojë këtë besim të kotë, duke treguar se sëmundja kalon te tjetri veçse me lejen dhe kaderin e Allahut, e nuk ka mundësi të ngjitet vetvetiu. Nëse Allahu ka bërë kader, ajo të ngjitet e nëse jo, nuk të ngjitet. Dikur kur prej sëmundjes së malaries ka ndodh të kenë vdekur e gjithë familja përveç njërit. Kjo tregon se sëmundja nuk kalon vetvetiu te tjetri, mirëpo kalon me kaderin dhe vullnetin e Tij.

? Nëse thua “filani ma ka ngjitur gripin” duke qenë i sigurt në këtë, nuk ka të keqe, sepse Allahu e ka bërë kader që ai ta ngjisë ty gripin. Lejohet të thuash “nuk po shkoj te filan familja sepse janë me grip e po na ngjisin atë”, duke e thënë me besim të shëndosh se kjo ndodh me kaderin e Allahut, e nëse thotë me besim të kotë se sëmundja vetë ngjitet kjo nuk lejohet.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit