Dobitë e realizimit të besimit

Dobitë e realizimit të besimit

Kur besimi realizohet te personi, do të sjellë fryte dhe dobi të shumta për të. Besimi i saktë ka rezultate të shumta në të dy botët, qoftë për zemrën apo për trupin, sjellë qetësi, rehati dhe jetë të mirë në të dy botët. Prej tyre janë:

» Lumturia me miqësinë e Allahut, bëhet mik e i dashur i Tij dhe ai e mbron e kujdeset për të në mënyrë të veçantë. Allahu thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën.” Junus 62-64.

» Dalja prej errësirave të mohimit, injorancës, mëkateve e shkujdesjes, për në dritën e besimit, teuhidit, dijes, adhurimit, bindjes, zgjimit dhe përmendjes së Allahut. Allahu thotë: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë.” Bekare 257.

» Arritja e kënaqësisë së Allahut dhe xhenetit. Allahu thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” Teube 71-72.

» Mbrojtja e Allahut. Ai e mbron robin e Tij besimtar. Allahu thotë: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” Haxh 38.

» Shpëtimi prej sprovave dhe fatkeqësive shkatërruese. Allahu kur flet për ngjarjen e Junusit pasi e kishte përbirë balena thotë: “(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët” Enbija 87-88.

» Jeta e mirë në të dy botët. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97.

» Saktësia në fjalë dhe vepra.

» Udhëzimi në rrugën e drejtë në këtë botë dhe për në xhenet në botën tjetër. Allahu thotë: “Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij.” Tegabun 11. Dhe: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë” Junus 9.

» Gjetja e ngushëllimit për sprovat e fatkeqësitë.

» Arritja e dashurisë së krijesave, si shpërblim për besimin që ka. Allahu thotë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri” Merjem 96. Dijetarët thonë: “Do ta duan besimtarët e tjerë me zemrat e tyre dhe do të jetë i pranuar në mesin e tyre.”

»Arritja e përgëzimit, lajmit të mirë dhe nderimit prej Allahut, si dhe siguria e plotë në të gjitha aspektet. Allahu thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fussilet 30-32. Dhe: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Enam 82. Kështu arrin shpëtimin në këtë botë dhe tjetrën. Allahu thotë: “Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit” Bekare 5.

» Përfitimi prej këshillave, përkujtimeve dhe ajeteve. Allahu thotë: “Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.” Dharijat 55.

» Falënderimi ndaj Allahut në mirëqenie dhe durimi në fatkeqësi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit! E gjithë çështja e tij është e mirë. Kjo nuk i takon askujt përveçse besimtarit. Kur i vjen një e mirë, është falënderues ndaj Allahut dhe kjo është mirë për të. Kur e godet diçka që e dëmton, është durimtar dhe kjo është mirë për të.”

» Largimi i dyshimeve dhe mëdyshjeve. Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë…” Huxhurat 15.

» Gjetja e strehës (te besimi) për çdo gjë që e godet. Allahu thotë: “(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ali Imran 173.

» Mbrojtja nga rënia në mëkatet shkatërruese. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Imorali kur është duke bërë imoralitet nuk është besimtar. Vjedhësi kur është duke vjedhur nuk është besimtar. Konsumuesi i alkoolit kur është duke e konsumuar atë nuk është besimtar.” Dhe: “Shembulli i besimtarit i cili lexon Kuranin është si utruxhe (qitro), i cili ka aromën e mirë dhe shijen e mirë. Ndërsa, shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon Kuranin është si hurma, e cila ka shijen e mirë, por nuk ka aromën e mirë. Shembulli i mëkatarit dhe munafikut të cilët lexojnë Kuranin është si rejhani (borziloku), e cila ka aromën e mirë, por shijen e hidhur. Shembulli i mëkatarit dhe munafikut të cilët nuk e lexojnë Kuranin është si handale (prej familjes së shalqirit), e cila ka shije të hidhur dhe aromë të keqe.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit