Emrat e Allahut: El Gaalib dhe en Nasiir

Emrat الغالِب, النَّصِير – El Gaalib dhe en Nasiir

Emri الغالِب – El Gaalib – Triumfuesi, Ngadhënjimtari, përmendet në një ajet në Kuran:

“وَٱللَّهُ غَالِبٌ عَلَىٰٓ أَمْرِهِۦ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ – Allahu është Triumfuesi, Ngadhënjimtari, mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Jusuf 21.

Kuptimi i emrit الغالِب: Ai që e vepron atë që dëshiron, sipas vullnetit të Tij. Andaj askush nuk mund ta thyejë dëshirën dhe vullnetin e Tij. Askush nuk ka mundësi të ngadhënjejë dhe të triumfojë mbi Allahun. Askush nuk ka mundësi ta kthejë mbrapshtë vendimin dhe gjykimin e Tij. Askush nuk ka pushtet ta refuzojë dhe kundërshtojë atë që e ka caktuar dhe vendosur Ai, askush nuk mund ta pengojë këtë që të mos zbatohet siç Ai dëshiron.

Kurse, emri النَّصِير – En Nnasiir – Ndihmësi, është përmendur në katër vende në Kuran, prej tyre:

–       në suren Enfal: “فَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَوْلاكُمْ نِعْمَ الْمَوْلَى وَنِعْمَ النَّصِيرُ – dijeni se Allahu është mbrojtësi juaj. Ai është Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm!” Ajeti 40.

  • në suren Nisa: “وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ نَصِيرًاAllahu mjafton si Ndihmës për ju.” Ajeti 45.
  • në suren Haxh: “فَنِعْمَ ٱلْمَوْلَىٰ وَنِعْمَ ٱلنَّصِيرُ – Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” Ajeti 78.
  • në suren Furkan: “وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيًا وَنَصِيرًاPor ty të mjafton Zoti yt si Udhërrëfyes dhe Ndihmës!” Ajeti 31.

Kuptimi i emrit النَّصِير: Ai që ka marrë përsipër t’u japë fitore e ndihmë dhe t’i mbrojë robërit e Tij të dashur. Nuk ka mundësi që të arrihet fitorja përveçse me dhuntinë dhe mirësinë e Allahut. Fitimtar është ai të cilit Allahu i jep ndihmë dhe fitore. Nuk ka Ndihmës tjetër përveç Allahut e as Mbrojtës, “Vërtet, fitorja është vetëm nga Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Ali Imran 126. “Nëse ju ndihmon Allahu, s’ka kush t’ju mposhtë e, nëse ju lë pa ndihmën e Tij, kush është ai që do t’ju ndihmojë, përveç Tij?!” Ali Imran 160.

Allahu në disa vende në Kuran ka përmendur se i ka ndihmuar e mbrojtur dhe u ka dhënë fitore Pejgamberëve, miqve e të dashurve të Tij, “Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët.” Gafir 51. Por, kjo ndihmë, fitore e triumf, është për ata besimtarë të cilët kanë arritur të zbatojnë besimin plotësisht. Këtyre u takon përfundimi i mirë dhe i lumtur, në të dy botët. Andaj, nëse besimtarët nuk luftojnë vetët e tyre për të realizuar besimin, atëherë nuk do të arrijnë fitore e triumf.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit