Fjalët dhe veprat të cilat e ndihmojnë myslimanin në largimin e shejtanit dhe vesveseve të tij

Pyetje: Shpresoj që shkëlqesia e juaj të më bëjë nderë duke më treguar për fjalët dhe veprat të cilat e ndihmojnë myslimanin në largimin e shejtanit dhe vesveseve të tij?

 

Përgjigje: E këshillojmë çdo mysliman që t’u shmanget shkaqeve të cilat bëjnë që ai të pushtohet nga shejtani, si: shkujdesja ndaj përmendjes së Allahut, dhënia pas mëkateve dhe shoqërimi me të këqijtë. Të gjitha këto janë prej shkaqeve të cilat bëjnë që shejtani ta pushtojë dhe mposhtë njeriun, andaj le t’i qepet pas përmendjes së shpeshtë të Allahut, sepse përmendja e Tij e përzë shejtanin dhe e qetëson zemrën. Allahu i Lartësuar thotë:

“Atij që shmanget nga përmendja e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm.” (Ez-Zuhruf, 36).

Pra, kur njeriu të shpeshtojë përmendjen e Allahut, shejtani largohet nga ai. Mëkatet shkaktojnë afërsinë e shejtanit, ngurtësinë e zemrës dhe ndëshkime të ndryshme. Dhe prej ndëshkimeve më të mëdha që mund t’i ndodhin njeriut është që ai të harrojë përmendjen e Allahut dhe që të mposhtet nga vesveset deri në atë masë sa s’mundet të kontrollojë veprat e tij. Kështu është edhe shoqërimi i njerëzve të këqij. Shoqërimi i tyre e dëmton tej mase njeriun, e bën që të harrojë përgjegjësitë që i ka përsipër dhe e largon nga bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), andaj duhet të kihet kujdes nga një gjë e tillë.

Prej shkaqeve të shpëtimit është përgjërimi i Allahut të Madhërishëm dhe lutja drejtuar Atij që të të ndihmojë, të përmirësojë zemrën tënde, të të dhurojë sukses për përmendjen e Tij dhe për zbatimin e të drejtës së Tij sipas mënyrës që e kënaq Atë. Allahu është Ai që thotë:

“Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!”(El-Gafir, 60).

Prandaj, përgjëroju Allahut dhe lute shpesh Atë të të ndihmojë, dhurojë sukses dhe të të mbrojë nga shejtani dhe nga ngatërresat e vesveset e tij.

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
Fetaua Nurun a’la ed-Derb
Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit