Këshilla bashkëshortore (3)

  • Këshilla bashkëshortore

-Gruaja dhe burri duhet të kenë sjellje të mirë. Përgjegjësitë, detyrat e sjellja e mirë, janë më obligative dhe më të konfirmuar ndaj atij me të cilën ke lidhje më të fortë. Nuk ka lidhje më të fortë e më të madhe sesa lidhja ndërmjet gruas dhe burrit. Kjo lidhje e bërë përmes nikahut, ua ka lejuar atyre intimitetin mes tyre, e nuk ka lidhje më të madhe sesa kaq.

-Kur thuhet “të sillemi ndaj të tjerëve me sjellje të mira, me fjalë të mira, t’iu buzëqeshim, të mos i lëndojmë/ofendojmë”, kjo realisht duhet të zbatohet më së shumti ndërmjet burrit e gruas, për shkak se lidhja ndërmjet tyre është më e forta, më e madhja.

-Shumë musliman e muslimane veprojnë gabim në këtë pikë duke e shfaqur moralin e mirë jashtë shtëpisë, me të tjerët, ndërsa brenda shtëpisë sillen me morale të këqija. Kur burri është me shokët e tij qeshet, bën humor, i duron, e kur hyn në shtëpi qëndron i ngrysur, nuk duron sjellje, nervozohet, zemërohet, eksplodon, në disa raste edhe godet. Njashtu dhe gruaja me shoqet e saj sillet mirë, ndërsa keq me burrin. Ky është një gabim i madh prej të dyve.

-Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Më i miri në mesin tuaj është ai që është më i miri me gruan e tij.” Nëse do ta dish se a je musliman i mirë, atëherë shiko sjelljen ndaj gruas tënde. Pejgamberi salAllahu alejhi us selem e ka bërë kriter këtë gjë. Nëse gjen sjellje jo në përputhje me sunetin profetik, vrazhdësi apo sjellje të pabazuar në parimet islame, atëherë ke defekt në fenë tënde, dhe duhet përmirësuar në këtë.

-Nganjëherë (për shkak të egos) bashkëshortët nuk pranojnë të kthehen me pranim të gabimit, u vije rëndë të kërkojnë falje e ta pranojnë fajin. Kështu shejtani i nxitë përmes egos së tyre: “Mos e nënshtro veten t’i thuash “më fal!” Kjo është gabim, sepse kur të gabosh duhet të pranosh gabimin.

-Gjithmonë duhet lëshuar pe. Dijetarët kanë thënë: “Burri e gruaja duhet të jenë (ndërmjet vete) si uji me zjarrin. Nëse njëri ndizet, tjetri e shuan atë”, duke e shuar situatën e tendosur. Njëri duhet të shuajë, e nëse të dytë janë zjarr, atëherë aty prishen raportet.

-Burri e gruaja duhet të njohin pikat përmes të cilave u depërton shejtani, duke iu shkaktuar mosmarrëveshje, përçarje, probleme, konflikte etj., dhe t’i mbyllin ato.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.