Vlera e teuhidit dhe cilat mëkate i shlyen

Vlera e teuhidit dhe cilat mëkate i shlyen[i]

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan mepadrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”. (El- En’am: 82) [ii]

Ubade bin Samit (radijAll-llahu anhu) na tregon se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kush dëshmon se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij, se Isai është rob dhe i Dërguar i Tij, Fjala e Tij me të cilën e frymëzoi Merjemen me Shpirt nga All-llahu, se Xhenneti dhe Xhehennemi janë të vërtetë, Allahu e fut në Xhennet sido që t’i ketë veprat”. (Buhariu dhe Muslimi) [iii]

Koment:

[i] Sa më shumë që robi e realizon teuhidin, aq më tepër i shtohen mundësit të hyjë në Xhennet, bazuar në veprat që ka kryer. Për këtë arsye autori e ka përmendur ajetin e sures El En’am.

[ii] Allahu thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me padrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”. (El En’am: 82) Me fjalën “padrejtësi” këtu është për qëllim shirku, gjë që na vërteton hadithi, i cili transmetohet në dy librat më të saktë (Buhariu dhe Muslimi), nga Ibën Mes’udi (radijAll-llahu anhu), se sahabët kur e dëgjuan këtë ajet, u ndien në vështirësi dhe thanë: “O i Dërguari i All-llahut! Cili prej nesh nuk i ka bërë padrejtësi vetes!?” Atëherë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem) tha: “Nuk është ashtu si e keni kuptuar ju. Padrejtësi këtu është shirku. A nuk e keni dëgjuar fjalën e një robi të devotshëm kur ka tha: ‘Idhujtaria (shirku) është padrejtësia më e madhe’ (Lukman: 13).

Atëherë domethënia e këtij ajeti, siç edhe përshtatet me këtë temë është: ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me shirk, atyre u takon siguria dhe janë prej të udhëzuarve. Do të thotë, shpërblimi për atë që beson dhe ka teuhid të pastër dhe nuk e ngatërron imanin e tij ose nuk e përzien teuhidin e tij me shirk, është që të jetë i sigurt dhe i udhëzuar plotësisht. Ndërsa sa më shumë t’i mungojë teuhidi, duke bërë vepra të shirkut, aq më shumë do t’i mungojë siguria dhe udhëzimi.

[iii] Ubade ibën Samit (radijAll-llahu anhu), na tregon se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush dëshmon se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç All-llahut dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, se Isai është rob dhe i Dërguar i Tij, Fjala e Tij me të cilën e frymëzoi Merjemen me Shpirt nga Allahu, se Xhenneti është i vërtetë dhe se Xhehennemi është i vërtetë, Allahu e fut në Xhennet, sido që t’i ketë veprat”. (Buhariu dhe Muslimi) Do të thotë edhe nëse ka lënë mangët disa vepra dhe ka bërë disa mëkate.

Buhariu dhe Muslimi, gjithashtu e transmetojnë hadithin e Itbanit, ku Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem) thotë: “… sepse All-llahu ia ka ndaluar Xhehennemit ta djeg një njeri që thotë ‘Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush tjetër përveç Allahut’, duke shpresuar me këto fjalë Fytyrën e All-llahut”. [i]

Edhe nga Ebu Seid el Hudriu (radijAll-llahu anhu) transmetohet se Pejgamberi (sallAll- llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Musai tha: ‘O Zot! Ma mëso një fjalë me të cilën do të të përmend dhe do të të lus Ty!’ Allahu i tha: ‘Thuaj, o Musa: ‘S’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut!’ Musai tha: ‘O Zot! Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë’. Allahu i tha: ‘O Musa! Sikur të shtatë qiejt dhe çfarë ka në to, përveç Meje dhe të shtatë tokat dhe çfarë ka në to të jenë në një anë, kurse shprehja ‘La ilahe il-lAll-llah’ në anën tjetër, shprehja ‘La ilahe il-lAll-llah do të peshojë më rëndë.’”. [ii] Transmetojnë Ibën Hibbani dhe Hakimi, ky i fundit thotë se hadithi është i vërtetë.

Tirmidhiu transmeton hadithin e Enesit, i cili thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin (sallAll- llahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘O biri i Ademit! Nëse ti Më vjen me mëkate sa Toka, mirëpo Më takon pa Më bërë shirk, Unë do të të vij me po aq falje dhe ndjesë’”.

Koment:

[i] Buhariu dhe Muslimi, gjithashtu transmetojnë hadithin e Itbanit, ku Pejgamberi (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “… sepse Allahu ia ka ndaluar Xhehennemit ta djegë një njeri që thotë ‘Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush tjetër përveç Allahut’, duke shpresuar me këtë fjalë Fytyrën e Allahut”. Kur kjo shprehje thuhet duke pasur për qëllim Fytyrën e All-llahut, Allahu ia jep atë që ia ka premtuar dhe e ruan nga zjarri i Xhehennemit. Kjo është begati e madhe.

Ndërkaq ai që e realizon teuhidin dhe largohet nga e kundërta (shirku), por që bën disa mëkate dhe vdes pa u penduar, i tilli është nën mëshirën e Allahut. Nëse do Allahu e dënon, e më vonë e largon nga zjarri, e nëse do e fal, e largon dhe e mbron nga zjarri që në fillim.

[ii] Edhe nga Ebu Seid el-Hudriu (radijAll-llahu anhu), thuhet se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Musai tha: ‘O Zot! Ma mëso një fjalë me të cilën do të të përmend dhe do të të lus Ty!’ All-llahu i tha: ‘Thuaj o Musa: “S’ka të adhuruar të tjetër me të drejtë përveç Allahut!’ Musai tha: ‘O Zot! Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë’. All-llahu i tha: ‘O Musa! Sikur të shtatë qiejt dhe çfarë ka në to përveç Meje dhe të shtatë tokat dhe çfarë ka në to të jenë në një anë, kurse shprehja “La ilahe il-lAll-llah” në anën tjetër, do ta peshojë shprehja “La ilahe il-lAll-llah”. Sikur të supozohet se mëkatet e robit kanë arritur peshën e qiejve dhe çfarë ka në to dhe peshën e Tokës, prapëseprapë shprehja “La ilahe illAll-llah” do të kishte peshuar më rëndë në anën tjetër. Këtë kuptim e shprehin edhe hadithet e tjera.

Këtu shqyrtohen disa çështje:

1. mirësia e gjerë e Allahut;
2. teuhidi sjell shpërblim të madh tek Allahu;
3. teuhidi fshin mëkatet;
4. shpjegimi i ajetit të sures El En’am;
5. mendo rreth pesë gjërave që u përmendën në hadithin e Ubades;
6. kur ta bashkosh këtë me hadithin e Itbanit dhe me hadithet e tjera pas tij, të sqarohet domethënia e shprehjes “La ilahe il-lAll-llah” dhe gabimi i të mashtruarve;
7. tërhiqet vëmendja për kushtin që gjendet në hadithin e Itbanit;
8. edhe pejgamberët kishin nevojë t’u tërhiqej vëmendja te vlera e shprehjes “La ilahe il-lAll-llah”;
9. tërhiqet vëmendja për këtë shprehje, e cila peshon më rëndë se të gjitha krijesat, megjithëse disave që e shprehin nuk u peshon rëndë;
10. edhe tokat janë shtatë sikurse qiejt;
11. në qiej ka banorë;
12. pohimi dhe pranimi i cilësive të Allahut përkundër Esh’arijve;
13. kur të njihesh me hadithin e Enesit (radhijAll-llahu anhu), kupton se fjalët në hadithin e Itbanit (Allahu ia ka ndaluar Xhehennemit (ta djegë) një njeri që thotë ‘Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç All-llahut’ duke shpresuar me këto fjalë Fytyrën e All-llahut) nënkuptojnë edhe largimin nga shirku, jo vetëm të shqiptuarit me gojë;
14. analizo faktin se Isai edhe Muhammedi janë robër dhe të dërguar të Allahut;
15. pse Isai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) veçohet me “Fjalën e Allahut”;
16. njoftimi se ai është “Shpirti nga All-llahu”;
17. njohja e vlerës së të besuarit në Xhennet dhe Xhehennem;
18. kuptimi i frazës “sido që t’i ketë veprat”;
19. Mizani (peshorja) në ditën e gjykimit ka dy anë;
20. mësojmë se këtu përmendet Fytyra e All-llahut.[1]

——————————————————
[1] Kjo temë është shkëputur nga libri ‘Kitabu teuhid’ me komentet e Salih Ali Shejhut. Ky libër është duke u përgatitur për botim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit