Emri العَلِيم – El Aliim
Emri العَلِيم – El Aliim – I Gjithëdijshmi, është përmendur në Kuran në më shumë se njëqind e pesëdhjetë vende, prej tyre:
- në suren Rum: “يَخْلُقُ مَا يَشَآءُ ۖ وَهُوَ ٱلْعَلِيمُ ٱلْقَدِيرُ – Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” Rum 54.
- në suren Nisa: “وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ عَلِيمًا – mjafton që Allahu e di çdo gjë.” Ajeti 70.
Mjafton që Allahu është Ai i Cili me dijen e Tij ka përfshirë të gjitha gjërat, ato që janë të dukshme dhe të padukshme, ato që bëhen fshehtas dhe ato që bëhen haptazi. Ai e ka përfshirë me dijen e Tij botën e lartë, banorët e qiellit, dhe gjithashtu botën e poshtme, banorët e tokës. Ai ka përfshirë me dijen e Tij të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Dijes së Tij nuk i fshehët asgjë. Ai e di atë që ka ndodhur dhe që do të ndodhë. Ai e di atë që ka qenë dhe atë që është. Ai e di atë që nuk është, që nuk ekziston, Ai e di se sikur të ekzistonte si do të ishte.
Besimi në këtë emër madhështor sjellë rezultate dhe gjurmë të bekuara e të bereqetshme te besimtari, në besimin e adhurimet e tij. Ky emër llogaritet këshilluesi e qortuesi më i madh për besimtarin. Dijetari Muhamed el Emin esh Shenkit rahimehullah ka thënë: “Të gjithë dijetarët kanë pajtueshmëri se këshilluesi dhe qortuesi më i madh që ka zbritur prej qiellit në tokë është emri i Allahut العَلِيم – i Gjithëdijshmi. Për këtë, gati në çdo faqe të mushafit që shfleton, do ta gjesh këtë këshillues e qortues të madh (përmend disa prej ajeteve): “Ai di gjithçka që ju fshihni dhe që shfaqni haptazi” Nahl 19, “asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai” Enam 59, “Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet” Kaf 16, “Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij” Bekare 235. E kemi për detyrë si besimtarë që të marrim mësim e të përfitojmë prej këtij emri të Allahut, i cili është këshilluesi e qortuesi më i madh, dhe kurrë mos ta harrojmë, ngase në të kundërt do të shkatërrojmë vetët tona!”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.